Analizat e marra nga shpendët e ngordhur në Plazhin e Vjetër në qytetin e Vlorës kanë rezultuar pozitive për gripin e shpendëve.Burime nga autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se ky grip është identifikuar tek shpendët e ujit ose të egra, por deri tani nuk ka pasur raportime për kontakt me shpendët shtepiakë.
Autoritetet po monitorojnë situatën dhe po marrin masa për parandalimin e përhapjes së mundshme të sëmundjes.
Në datën 5 janar 2025, u konstatuan dhjetëra shpendë të ngordhur në plazhin e Vjetër në qytetin e Vlorës. Specialistët e Shërbimit Veterinar të Vlorës morën mostra nga shpendët e ngordhur dhe i dërguan për analiza në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare në Tiranë. Rezultatet e analizave kanë konfirmuar praninë e gripit të shpendëve tek shpendët e egër të gjetur të ngordhur.
Gripi i shpendëve është një sëmundje infektive që prek shpendët e egër dhe mund të shkaktojë dëme të mëdha në popullatat e shpendëve të egër dhe të shtëpisë. Në rastet e infektimit të shpendëve të shtëpisë, mund të ndodhin shpërthime epidemike që përbëjnë rrezik për shëndetin publik.