Bashkitë shqiptare mund të përfitojnë WiFi publik falas nga Bashkimi Evropian. BE ka hapur një thirrje për të gjitha bashkitë në Ballkanin Perëndimor, që të aplikojnë nga data 28 mars deri në 28 prill për përfitimin e hotspote Wi-Fi falas.
Numri i bashkive përfituese do të jetë 500 në të gjithë rajonin. Pikat e aksesit Wi-Fi do të instalohen në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, muze dhe shkolla, duke ofruar akses falas dhe të qëndrueshëm në internet për banorët dhe vizitorët.
Bashkitë pjesëmarrëse do të marrin mbështetje gjithëpërfshirëse, duke përfshirë furnizimin dhe instalimin e pajisjeve Wi-Fi, shërbimin e internetit dhe mirëmbajtjen. Në këmbim, bashkive u kërkohet të angazhohen për ruajtjen e shërbimit përtej periudhës fillestare të financimit, duke siguruar qëndrueshmëri dhe ndikim afatgjatë.
Nisma do të financojë plotësisht instalimin e një pike aksesi WiFi në një vend publik të zgjedhur nga bashkia. Ofruesit profesionistë të shërbimeve të internetit do të kujdesen për pajisjet teknike, mirëmbajtjen dhe shërbimet fillestare të internetit për të siguruar përvojë të thjeshtë dhe të besueshme për përdoruesit.
Aplikimi për thirrjen publike duhet të dorëzohet nga Kryetari i Bashkisë, një zyrtar i punësuar nga bashkia ose një anëtar i këshillit bashkiak. Gjatë procesit të aplikimit, duhet të ngarkohet një Dëshmi e Nënshkruar e Marrëveshjes, që konfirmon pajtimin e Kryetarit të Bashkisë për të marrë pjesë në Nismën WiFi4WB.
Për bashkitë, kjo është një mundësi që ata të përmirësojnë infrastrukturën e tyre digjitale lokale, ndërsa për banorët është një mundësi për të shijuar Wi-Fi falas dhe të besueshëm.
Kjo iniciativë është pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, që mbështet transformimin digjital dhe fuqizon komunitetet lokale.