Policia ka zbardhur vrasjen e 72-vjeçarit, Faik Ajdini tre ditë më parë në fshatin Zhapokikë në Memaliaj, duke arrestuar 4 persona të përfshirë.Për shkak të konflikteve për motive të dobëta ndërmjet viktimës, shtetasit Faik Ajdini, dhe bashkëshortëve Skënder dhe Darovi Ajdini, këta të fundit kanë nxitur shtetasin Blerti Kanushi, 23 vjeç, i kanë krijuar kushtet dhe i kanë siguruar mjetet, për kryerjen e vrasjes.
23-vjeçari në bashkëpunim me shtetasin Skënder Ajdini, më datë 19 gusht 2024, rreth orës 07:00 të mëngjesit, kanë kryer vrasjen me thikë të shtetasit Faik Ajdini dhe më pas Blerti Kanushi është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas kryerjes së krimit, Skëndër Ajdini me bashkëshorten Darovi Ajdini kanë kryer veprime aktive për pengimin e zbulimit të së vërtetës, duke bërë përpjekje për të zhdukur provat e krimit.
Bledar Ajdini, në dijeni të plotë për krimin, ka përkrahur autorin e krimit, duke mos informuar institucionet ligjzbatuese për vendndodhjen e tij.
Mbrëmjen e djeshme janë arrestuar:
Skënder Ajdini, 71 vjeç për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 78/25, 80 dhe 302 të Kodit Penal;
Bledar Ajdini, 43 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302 i Kodit Penal.
Gjithashtu, në ndjekje të vazhdueshme dhe të pandërprerë të veprimeve operacionale dhe hetimore në terren, më datë 22.08.2024, ora 03:00, u arrestua në flagrancë shtetasi Blerti Kanushi, 23 vjeç për vepren penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78/25 i Kodit Penal dhe shtetasja Darovi Ajdini, 64 vjeçe, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga nenet 301 dhe 302 i Kodit Penal.
Nga gjithë tërësia e veprimeve hetimore të kryera, u arrit të gjenden, fiksohen dhe sekuestrohen me cilësinë e provës materiale, thika me të cilën ka kryer krimin autori, si dhe sende e mjete të tjera të cilat kanë influencuar në rrethanat e ngjarjes, të shfrytëzuara nga të dyshuarit. Këto sende dhe mjete do t’iu nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme shkencore.