Qeveria ka miratuar çmimet e reja mesatare të shit-blerjes së banesave në treg.Cmimet jane vendosur sipas zonave kadastrale për 61 bashkitë në vend, të cilat rezultojnë me rritje të konsiderueshme në pjesën më të madhe të territorit të vendit krahasuar me vitin 2023.
Referuar urdhrit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të publikuar në Fletoren Zyrtare, çmimi mesatar i sipërfaqes banuese për m2 në Tiranë arrin në 124.316 lekë.
Duke marrë në analizë njësitë më të mëdha, vihet re se bashkinë Durrës, çmimi i ri mesatar i banesave arrin në 71.157 lekë/m2 nga 67.500 lekë/m2 me një kapërcim prej 3657 lekë/m2.
Në bashkinë Elbasan një m2 sipërfaqe banimi arrin në 55,400 lekë, me një kapërcim prej 5100 lekë nga një vit më parë. Në Fier çmimi i shitjes regjistrohet në 55.375 lekë/m2, me një rritje prej 2275 lekë/m2.
Në bashkinë Vlorë çmimi i ri rezulton 66.680 lekë/m2, duke u rritur me 4480 lekë/m2.
Çmimi mesatar për një m2 sipërfaqe banimi në Shkodër arrin në 62.280 lekë, apo 4280 lekë më i lartë se në vitin 2023. Korça arrin një vlerë shitje prej 59.525 lekë/m2, me një rritje rekord prej 13.725 lekë për m2.
Në Berat çmimi mesatar i një banese për m2 përcaktohet në 52.200 lekë, duke shënuar një rritje të konsiderueshme prej 10.800 lekë/m2. Në bashkinë Kamëz vlera shkon në 62.550 lekë/m2 , duke u rritur me 10.550 lekë/m2.
Në bashkinë Gjirokastër, çmimi arrin në 48.600 lekë/m2, me një rritje prej 1200 lekësh. Ndërkohë që c çmimet e pronave rritje kanë pësuar edhe njësitë e tjera më të vogla.
Sa i takon zonave bregdetare, në njësinë administrative Golem, çmimi mesatar i shitjes për banesa shkon mesatarisht në 56.500 lekë/m2 , në Shëngjin 49.150 lekë/m2, në Velipojë 60.400 lekë/ m2, në Orikum 61.433 lekë/m2 dhe në Dhërmi arrin në 186.400 lekë/m2.
Sipas legjislacionit në fuqi, përcaktimi i çmimeve mesatare të shitblerjes së banesave në treg bëhet me qëllim përdorimin e tyre nga Enti Kombëtar i Banesave (EKB) ose njësitë e vetëqeverisjes vendore: për të vlerësuar, nëse në territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore është më ekonomike të ndërtohen banesa të reja apo të blihen nga tregu; për ta përdorur si nivel reference, në rastet kur vendosin të blejnë banesa në tregun e lirë; si dhe për të përcaktuar kufirin maksimal të kreditimit në zbatim të vendimit Këshillit të Ministrave, “Për masën e subvencionit të interesave të kredisë dhe procedurën e dhënies së tij për familjet që përfitojnë banesë me kosto të ulët, me kredi të lehtësuara nga shteti”.