Ballina Ekonomi Vendet baltike shijojnë lakrën shqiptare

Vendet baltike shijojnë lakrën shqiptare

Sezoni i favorshëm me klimë të ngrohtë dhe rritja e kërkesës për lakër shqiptare nga vendet e Lindjes dhe ato baltike ndikuan pozitivisht eksportet e zarzavateve në sasi në dymujorin e parë të 2025.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se shitjet e sasive të zarzavateve jashtë vendit shënuan rritje vjetore me 71% në janar-shkurt 2025, por në të njëjtën periudhë eksportet e frutave pësuan rënie vjetore me 48%.Klima këtë vit ka favorizuar rendimentin e perimeve dhe zarzavateve të dimrit në fushë. Ruzhdi Koni, eksportues i prodhimeve bujqësore, pohoi se janë rritur shumë eksportet e lakrës përtej Rajonit, sidomos në vendet e Lindjes dhe ato baltike, Bullgari, Poloni, Ukrainë, Moldavi, Letoni, Lituani, Estoni etj.

Lakra është baza e kulinarisë në kuzhinën e vendeve të Europës Lindore, mirëpo prodhimi i brendshëm tyre nuk ka qenë optimal, duke ndikuar në rritjen e kërkesës në vende të tjera. Shqipëria ishte favorite.

Fermerët po përshtaten shpejt me kërkesën e re. Për më tepër, kultivimi i lakrës nuk kërkon investim me serra, pasi ajo rritet gjatë dimrit edhe në fushë. Shqipëria po eksporton dy lloje lakrash, për sallatë dhe lakër kokë që përdoret për gatime të ndryshme.

Lakra me kokë po eksportohet ne Serbi, Kroaci, Austri dhe Bosnjë, ndërsa lakra për sallatë po shkon në vendet baltike si Letonia, Estonia dhe Lituania, teksa sasi të konsiderueshme po shkojnë edhe në Moldavi, Ukrainë, Poloni, Bullgari.

Gjithashtu Shqipëria është eksportues i madh i perimeve dhe zarzavateve në Rajon, ku dominojnë domatet dhe kastravecët e serrave.

Sasia më e madhe zarzavateve në shkurt u eksportua në Serbi, me rritje vjetore me 86% në shkurt, e dyta vjen Bosnja me 1600 tonë eksporte në shkurt, me rritje vjetore 23%, e treta vjen Kosova me 1500 tonë eksporte, me rritje 35%.

Rritja e sasive të eksportit në shkurt ishte veçanërisht e fortë për Bullgarinë dhe Poloninë me 95 dhe 144 % secila.

Lushnja, Divjaka, Fieri Vlora dhe Shkodra ishin prodhuesit më të mëdhenj të lakrës këtë sezon, ndërkohë që më shumë fermerë po zgjerojnë sipërfaqet e mbjella. /Monitor