Megjithëse fundviti 2024 ka qenë i mbarë për prodhimin e ullirit ne Mallakaster me rendimente të larta dhe cilësi të mirë, fermerët ndihen të zhgënjyer.Ata theksojnë se mungesa e një tregu të sigurt për vajin e ullirit, i ka detyruar shpeshherë të shesin nën kosto.
“Vaji i ullirit kishte një çmim të mirë në fillim të sezonit, por tani që kemi marrë prodhimin, mungesa e tregut na ka futur në vështirësi të mëdha”, shprehen fermerët.
Fermerët dhe përpunuesit e ullirit bëjnë thirrje për ndërhyrjen e shtetit. Ata kërkojnë certifikimin e vajit të ullirit dhe mundësinë për të depërtuar në tregjet europiane, si një zgjidhje për garantimin e një të ardhmeje të qëndrueshme për këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë në shumë fshatra.
Mallakastra, dikur një qendër e fuqishme ekonomike falë industrisë së naftës, sot mbështetet te ullishtat dhe prodhimi i vajit, por pa një treg të sigurt, ky sektor duket i rrezikuar.