Sipas platformës Numbeo, Shqipëria renditet në vendin e 6-të në botë për tarifën fikse të taksive, duke u pozicionuar mes 127 vendeve me çmim të lartë për këtë shërbim. Sipas të dhënave, një kilometër me taksi në Shqipëri kushton mesatarisht 3.31 dollarë, çka e bën këtë shërbim më të shtrenjtë krahasuar me shumë vende të zhvilluara.
Në krye të listës për çmimin më të shtrenjtë qëndron Zvicra, ku një kilometër me taksi kushton 4.45 dollarë. Nga vendet e rajonit, Shqipëria rezulton të jetë më e kushtueshmja për çmimin e taksive. Në Mal të Zi, një kilometër me taksi kushton 1.09 dollarë, dhe kjo shifër e ka renditur në vendin e 77-të në listë.
Ndërkohë në Serbi, taksia për kilometër kushton 0.93 dollarë, vlerë që e pozicionon atë në vendin e 83-të. Bosnje Hercegovina, nga ana tjetër, renditet po ashtu në vendin e 83-të me një çmim prej 0.84 dollarësh për kilometër. Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë tarifat më të ulëta në rajon, me përkatësisht 0.77 dhe 0.62 dollarë për kilometër.
Shqipëria spikat edhe në nivel europian, duke u renditur në vendin e 3-të për tarifat më të shtrenjta të taksive. Kjo e pozicionon vendin tonë mbi disa ekonomi të mëdha dhe të zhvilluara si: Japonia me $2.94, Gjermania me $2.73, Mbretëria e Bashkuar me $2.14, Franca me $2.14, SHBA me $1.74 dhe me Italia $1.64.
Nga ana tjetër, vendet me tarifat më të ulëta për këtë shërbim janë Filipinet dhe Kirgistani, ku një kilometër me taksi kushton përkatësisht 0.26 dhe 0.23 dollarë.
Numri i taksive është rritur shumë vitet e fundit në Shqipëri, sidomod ato elektrike. Kjo tendencë është ndikuar kryesisht nga numri shumë i lartë i turistëve në vendin tonë.