Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e Pëllumb Metës, ku e dyshuara kryesore është vajza e tij.
Hygerta Meta e vrau të atin Pëllumb Meta me katër plumba dhe më pas e groposi në kasollen e bagëtive.
19-vjeçarja Hygerta Meta, studente e Fakultetit Ekonomik në Tiranë ndërmori aktin e rëndë, pasi viktima donte ta fejonte pa dëshirën e saj.
Janë ende të paqarta detajet se si ka ndodhur dinamika e ngjarjes dhe nëse ajo është ndihmuar nga nëna dhe vëllezërit e saj, të cilët janë vënë nën hetim dhe po merren në pyetje në polici.
Policët janë ende në kërkim të armës, të cilën nuk dihet ende se ku e ka hedhur e reja.
Dyshohet se viktima ishte një person autoritar dhe i rreptë në familje, edhe pse fqinjët e përshkruajnë të qetë dhe pozitiv.
Pas 10 ditësh hetime është gjetur trupi i pajetë i 50-vjeçarit Pëllumb Meta, ndërsa është arrestuar 19-vjeçarja
Më datë 13 shkurt rreth orës 22:30, njëri prej djemve, 25 vjeç ka denoncuar në polici se babi i tij është larguar nga banesa dhe kanë humbur kontaktet me të. Në datën 17 shkurt është bërë e mundur gjetja e automjetit të 50-vjeçarit, të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia.
Nga hetimet, u zbulua se Pëllumb Meta nuk ishte zhdukur, por ishte vrarë në banesën e tij. Vajza e tij 19-vjeçare Hygerta Meta, ka deklaruar se motivi i vrasjes ka qenë nxitja prej babait, për t’u fejuar pa dëshirën e saj, si dhe konfliktet familjare që kanë patur.
Grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Trupi i tij është zhvarrosur dhe është transortuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për kryerjen e ekspertizës së mëtejshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.