Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi se, sot është hapur për qarkullimin e automjeteve tuneli i Llogorasë një vepër e rëndësishme e infrastrukturës sonë rrugore, i cili shkurton distancën drejt rivierës së jugut.
Sipas ARRSH-së, me qëllim lehtësimin e trafikut dhe shkurtimin e kohës së udhëtimit për pushuesit, gjatë sezonit veror, qarkullimi në tunel do të lejohet vetëm për autoveturat, furgonët dhe autobuzët.
Sipas ARRSH-së, mjetet e tjera do të përdorin rrugën e vjetër ekzistuese.Tuneli i Llogorasë në Vlorë, me gjatësi 5.9 km, është vepra më e rëndësishme infrastrukturore në jug të vendit që shkurton ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt bregdetit të jugut.
Hyrja për në tunel nis nga Dukati duke shmangur kthesat e Llogorasë dhe del në fshatin Palasë. Distanca e udhëtimit në këtë segment llogaritet 7-10 minuta, nga rreth 40 minuta që përshkohej nga Qafa e Llogorasë.