Paketa e Maleve” e cila synon të tërheqë investime në zonat me përparësi zhvillimi, të fuqizojë ekonomitë lokale si dhe të nxisë punësimin është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi në fillim të muajit Maj.
Por çfarë parashikon ligji i kaq shumë diskutuar dhe kujt i jep përparësi?
Ligji parashikon shpalljen e zonave malore me përparësi zhvillimi si dhe zhvillimin e pasurive shtetërore të poseduara pa titull pronësie nga subjektet private në këto zona, në harmoni me rregullat e legjislacionin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
Ligji i ri i hap dritën jeshilë kalimit të pronësisë përmes shitjes me tarifën simbolike 1 euro të këtyre pasurive të paluajtshme shtetërore, të cilat rezultojnë të jenë në posedim faktik të poseduesve jopronarë.
Në këtë rast, posedues jo pronarë, quhen ata individë të cilët ushtrojnë posedim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh mbi pasurinë e paluajtshme shtetërore, duke e përdorur atë sikur të ishte ai pronari i saj.
Për këtë, subjekti paraqet dokumentacion provues, por megjithatë mungesa e dokumentacionit nuk pengon procedurën administrative për njohjen e tij si “posedues jopronar” dhe merret i mirëqenë deklarimi i subjektit për sa kohë nuk paraqiten prova nga të tretët për të kundërtën gjatë afishimit publik dhe procedurave të përcaktuara në këthhë ligj.
Po ashtu, do të konsiderohen posedues jopronarë edhe ata persona fizikë që nuk e përdorin pasurinë, por vërtetojnë lidhjen e tyre me pasurinë, për të cilën nuk janë pajisur me titull pronësie, sipas legjislacionit në fuqi dhe kërkojnë ta zhvillojnë atë nëpërmjet një investimi.
Pas hyrjes në fuqi të vendimit, që shpall zonën e zhvillimit, subjektet duhet të paraqesin kërkesë pranë njësisë së vetëqeverisjes vendore për njohjen si posedues jopronarë, të shoqëruar me plan rilevimi të sipërfaqes së poseduar, të hartuar nga një ekspert gjeodet i licencuar.
Dhe më pas institucionet vendore verifikojnë kërkesën për miratimin apo jo të saj. Në rast miratimi, procedura kalon në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, për marrjen e lejes së zhvillimit. Dhe në fund bëhet kërkesa për blerje pranë ministrisë përgjegjëse dhe kontrata e shitjes.
Subjektet, që përfitojnë pronësinë mbi sipërfaqet sipas këtij ligji e që realizojnë projektin dhe ushtrojnë aktivitetin e deklaruar prej tyre, përfitojnë për një periudhë 10-vjeçare: përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë; përjashtim nga taksa e pasurive të paluajtshme; përjashtim nga TVSH-ja; përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat.
scan/tv