Rreth 933 milionë euro ose gati 1 miliardë, është shuma që Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu valutor i brendshëm, me qëllim rritjen e rezervës valutore, por edhe stabilizimin e kursit të këmbimit. Në krahasim me vitet e mëparshme, shuma e tërhequr këtë vit ka qenë më e larta, duke shënuar kështu një rekord historik dhe zbutur goditjet e kursit të këmbimit nga zhvlerësimi i euros.
Gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë synonte të blinte përmes ankandeve 250-330 milionë euro, me qëllim rritjen e rezervës valutore. Ajo i ka qëndruar këtij objektivi, duke blerë në total rreth 283.80 milionë euro nëpërmjet ankandeve në 2024.
Vetëm gjatë tre muajve të fundit që lamë pas, Banka e Shqipërisë ka zhvilluar katër ankande për blerjen e valutës, ku 3 prej tyre kanë qenë me opsionin FORWARD, pra përmes një marrëveshjeje paraprake për blerjen e euros në një datë të ardhshme dhe me një kurs këmbimi të përcaktuar që në momentin e arritjes së kësaj marrëveshjeje.
Shuma e blerë në ankandet e periudhës tetor-dhjetor rezulton të jetë disa herë më e ulët se blerjet e valutës në tremujorët e mëparshëm. Kështu, të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se kjo e fundit bleu rreth 13.80 milionë euro përmes ankandeve në tremujorin e fundit, kundrejt 15.70 milionë euro në tre muajt pararendës dhe 14.50 milionë që ishte mesatarja e vitit.
Krahas blerjeve me ankand, të cilat kanë si objektiv “ruajtjen e nivelit dysheme”, paralelisht janë blerë 335.30 milionë euro kundrejt 176.10 milionë euro në tremujorin e tretë, duke e çuar totalin e blerjeve për vitin 2024 në 649 milionë euro.
Për sa i përket vitit 2025, Banka Qendrore ka planifikuar të blejë 270-350 milionë euro. Në krahasim me vitin e kaluar, ku numri i ankandeve të realizuara ishte vetëm 20, gjatë këtij viti pritet të zhvillohen gjithsej 22 ankande. Shumat individuale për ankand kanë qëndruar të pandryshuara në 5-10 milionë euro dhe krahas ankandeve FORWARD me maturim njëmujor, parashikohet të realizohen edhe ankande FORWARD me maturim tremujor.
Rezerva valutore shërben për të realizuar nevojat e qeverisë për valutë për shlyerjen e borxhit të jashtëm, mbështetur tregtinë ndërkombëtare, duke përmbushur kërkesën për valutë që buron nga importuesit, si dhe mundësuar ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë në treg, me qëllim parandalimin dhe zbutjen e lëvizjeve të forta të kursit të këmbimit.