Policia greke ka vënë në pranga një 33-vjecar shqiptar të shpallur në kërkim, pas denoncimit nga ish-bashkëshortja e tij greke për dhunë.
E reja 26-vjeçare ka denoncuar në Komisariatin e Agia Varvaras në Athinë në 13 qershor se pas mesnate ish-bashkëshorti i saj pasi kishte thyer portën e banesës së saj duke e goditur me shkelma, kishte hyrë brenda dhe me një litar kishte tentuar ta mbyste.
E reja greke kishte arritur të largonte litarin nga qafa dhe kishte thirrur për ndihmë. Nga dhoma ngjitur kanë dalë prindërit e saj bashkë me nipin e saj të mitur.
Ish-bashkëshorti i saj i identifikuar si Zhuljan Prenci, e la litarin dhe nisi ta godiste me grushte në kokë si dhe e kafshoi në krahun e djathtë.
Gjatë gjithë kësaj kohe ai e ka kanosur 26-vjecaren. Pas kësaj autori është larguar në këmbë nga banesa. Sipas policisë e gjithë ngjarja ka ndodhur në sallonin e banesës, teksa e reja mbante në krahë fëmijën e tyre 10 mujorsh.
33-vjecari Zhuljan Prenci është pikasur dy ditë më parë nga skuadra “DIAS” në kryqëzimin e rrugëve “Stratigou Kalari” dhe “Liosion” në Patisia të Athinës dhe është arrestuar. Ndaj tij rëndojnë akuzat “tentativë vrasje” dhe “dhunë në familje”.