Një incident me armë zjarri ndodhi sot rreth orës 16:10 në rrugën e fshatit Dushnik, ku automjeti i drejtuar nga shtetasi A. H, 46 vjeç, banues në Berat, u qëllua me armë zjarri.
Sipas informacionit paraprak nga policia, nuk ka pasur persona të lënduar nga të shtënat.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, Forcat Operacionale dhe ato Shqiponja të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat. Po ashtu, është ngritur një grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, që është angazhuar në hetimet në vendngjarje.
Në ndihmë të Policisë Vendore janë dërguar gjithashtu grupe nga Forca Kombëtare e Sigurisë, Njësia Fier. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve dhe gjatë kontrollit të zonës në fshatin Kozare, kanë gjetur një automjet që po digjej, i cili dyshohet se mund të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes.
Dyshohet se autorët janë nga Fieri dhe për këtë arsye, janë angazhuar në veprime operacionale edhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe komisariateve në varësi të saj.