SPAK i kerkon Kuvendit autorizim për arrestimin e deputetit Sali Berisha

SPAK i është drejtuar ditën e sotme Kuvendit me një kërkesë zyrtare për të lejuar ndryshimin e masës së sigurisë për Sali Berishën, nga ‘detyrim paraqitje’ në ‘arrest shtëpie’.

BalkanWeb ka zbardhur kërkesën e SPAK, ku ndër të tjera theksohet se Berisha në tre raste ka refuzuar të zbatojë vendimin e gjykatës për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore.

Sipas SPAK, “në rast shkelje të detyrimeve që lidhen me një masë sigurimi, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë tjetër më të rëndë, duke mbajtur parasysh rëndësinë, motivet dhe rrethanat e shkeljes. Për shkeljen e detyrimeve që lidhen me një masë ndaluese, gjykata mund të vendosë zëvendësimin ose bashkimin me një masë shtrënguese”.

Pjesë nga kërkesa:

Ndodhur në këto kushte, vlerësojmë se, nga hetimet e kryera deri më tani, ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në prova se nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, është konsumuar vepra penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore ose i të zgjedhurve vendore”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 260 e 25 i K.Penal.

Vlerësojmë gjithashtu se, ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit dhe ekzistenca e këtyre kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenet 228, 229 të K.Pr.Penale, janë vlerësuar dhe konfirmuar tashmë nga gjykatat e posaçme.

Gjithashtu vlerësojmë se ndodhemi edhe në përmbushje të kërkesave të parashikuara nga nenet 231 dhe 260 të K.Pr.Penale. Personi nën hetim Sali Berisha, në mënyrë të përsëritur nuk ka zbatuar detyrimet që i ngarkohen nga ligji procedurial penal, në zbatim të vendimeve gjyqësore, për caktimin e masave shtrënguese personale ndaj tij, duke mos u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore/hetuesit.

Mbështetur në sa parashtruar dhe shpjeguar më lart, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 231, 260, 288, 289 të K.Pr.Penale,si dhe nenet 13, 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

KËRKOJMË:

Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë të deputetit Sali BERISHA, nëpërmjet zëvendësimit të masës të masës së sigurimit nga ajo e “Detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në atë të arrestit në burg/arrest në shtëpi, parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale.

Kërkesa u firmos nga dy prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.

Kolaudimi Në Fier, Pezullohen 6 Punonjës

Gjashtë punonjës pranë Qendrës së Kontrollit Teknik në Fier janë pezulluar nga detyra, ndërsa një tjetër është pushuar nga puna.

Ka qenë drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), Blendi Gonxhja, i cili ka bërë me dije se pezullimi i trupës së inspektorëve të Kolaudimit në Fier, si dhe ndërprerja e marrëdhënieve të punës me një tjetër, është ndërmarrë pas indicieve, pamjeve filmike dhe verifikimit paraprak.

Goxhaj tha se ka nisur hetim administrative i brendshëm për të nxjerrë konkluzionet përfundimtare, ndërsa shërbimi do të vijojë me zëvendësim. Ndër të tjera ai u bëri thirrje edhe qytetarëve që të mos bëhen palë në shkeljen e ligjit dhe të mos tentojnë që të korruptojnë inspektorët pasi do të kallëzohen njëkohësisht me personelin që abuzon me detyrën.

Postimi i plotë i Drejtorit të DPSHTRR:

Komunikim Publik: PEZULLIM i trupës së inspektorëve të QKT (Kolaudimi) Fier!

DPSHTRR, me misionin për të qenë një ent model efikasiteti dhe ligjshmërie, vijon të monitorojë çdo proces shërbimi, në qendër dhe në degët rajonale, për garantimin e standardeve të sigurisë e cilësisë! Në çdo sektor e praktikë, ekspozohemi ndaj riskut permanent të akteve korruptive e abuzive, në dëm të qytetarit dhe në kurriz të Automotorizimit Shqiptar, ndaj përgjegjësia sa vjen e rritet për të eliminuar dhe goditur fenomenet negative si edhe për të larguar nga institucioni ynë, përmes kontrolleve e sistemeve digjitale dhe shkëmbimit të informacionit me të gjitha organet ligjzbatuese, të gjithë elementet që nuk e meritojnë të jenë punonjës të shërbimeve të transportit rrugor!

DPSHTRR njofton për masa administrative, që përfshijnë të gjithë sektorët teknik të shërbimit, pa përjashtim, në qendër dhe në çdo drejtori rajonale! Konkretisht në Qendrën e Kontrollit Teknik pranë DRSHTRR Fier kemi komunikuar 6 masa Pezullimi nga Detyra dhe 1 Ndërprerje Marrëdhënie Pune, pas indicieve, pamjeve filmike dhe verifikimit paraprak.

Një hetim administrativ i brendshëm vijon për konkluzionet përfundimtare, ndërsa shërbimi do të vijojë me zëvendësim. I bëjmë thirrje qytetarëve të mos bëhen palë në shkeljen e ligjit, të mos tentojnë korruptimin, rryshfetin sepse do të kallzohen njëkohësisht me personelin që abuzon me detyrën!

Përsërisim apelin për punonjësit e Automotorizimit Shqiptar që të distancohen nga tentacionet e mitmarrjes, të zbatojnë ligjin dhe të çmojnë vendin e punës ku sot paguhen me një rritje prej +90% nga viti 2018 e ku kanë bonuse e trajtim dinjitoz, me benefite ligjore, standarde e respekt!

DPSHTRR vijon hetimin e çdo dokumentacioni, bazuar në indicie dhe denoncime të ardhura në platformën online

ÇFARË PO NDODH? Vodafone “mbyll” telefonat, mijëra klientë e kanë të pamundur komunikimin

Shërbimi telefonik i kompanisë celulare “Vodafone” prej mëngjesit të sotëm funksionon me probleme,. përdoruesit nuk aksesojnë dot, ose aksesojnw me probleme shërbimet e komunikimit

Probleme janë shfaqur në të gjithë Shqipërinë duke shkaktuar pakënaqësi te klientët, për shkak se i ka prekur në punën e tyre të përditshme.

Ndërkohë e kontaktuar nga klientët e saj “Vodafone” nuk ka dhene asnjë sqarim për atë çfarë po ndodh me rrjetin e saj trë shërbimeve

Dronët “Bayraktar”, shumë shpejt pjesë e Forcave të Armatosura te vendit tone

Dronët ‘Bayraktar’ shumë shpejt do të bëhen pjesë e Forcave tona të Armatosura.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se Dronët ‘Bayraktar’ janë teknologjia më e lartë e fluturimeve që përdoren për misione ushtarake, policore dhe civile.

Peleshi nënvizoi se, kompletimi i Shqipërisë me flotën e këtyre dronëve ka rëndësi të veçantë në funksion të sigurisë sonë kombëtare dhe asaj të Aleancës, si respektim i detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s.

Të përkushtuar për të përdorur teknologjinë më të avancuar në mbrojtjen e territorit tonë”, theksoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale.

Itali/ Ra nga ndërtesa ku punonte, humb jetën 61-vjeçari shqiptar

Tragjik ka rezultuar fati i një shqiptari sot në Itali, i cili humbi jetën nga një lartësi. Ngjarja ndodhi në Borghetto, ku pak minuta para orës 10 të mëngjesit në një kantier ndërtimi. 

Mësohet se viktima, 61 vjeç, ishte në katin e katërt të godinës kur ra nga një lartësi rreth 8-10 metra.

Alarmi u ngrit menjëherë, me ndërhyrjen e një ambulance të Kryqit të Kuq të Loanos dhe ambulancës 118, por nuk mund të bëhej asgjë për shqiptarin, identiteti i të cilit nuk dihet. 

“Një tragjedi, vajtojmë një tjetër vdekje të papritur dhe një tjetër familje të rrënuar” -ka qenë komenti i kryebashkiakut Giancarlo Canepa, i cili mbërriti menjëherë në vendin e aksidentit. “Në këto raste nuk ka fjalë, tani hetimet do të bëjnë kursin e tyre për të konstatuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe për të hedhur dritë mbi të gjitha aspektet e çështjes”, tha ai.

Sekuestrohen rreth 500 kg drogë në Vlorë, kishte si destinacion Turqinë! 7 të arrestuar

DVP Vlorë

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Ermal Muçaj, konferencë për shtyp për rezultatet e operacionit antidrogë të koduar “RESET”, në kuadër të të cilit u godit një grup kriminal që prodhonte dhe trafikonte lëndë narkotike.

Përshëndetje, faleminderit për pjesëmarrjen,

Jam sot ketu, për t’ju përcjellë rezultatet e operacionit policor antidrogë të koduar “RESET”, i cili është zhvilluar në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Tempulli”.

Ky operacioni është rezultat i një procedimi të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë së Vlorës, që është iniciuar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorise Vendore Policise Vlorë.

Në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive dhe veprimtarive kriminale, në vijim të megaoperacionit policor kombëtar të koduar “Tempulli”, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë referuan pranë organit procedues, ku nisi procedimi nr.1348/2023, i cili u ndoq për disa muaj, me metoda speciale hetimi.

Nga hetimet rezultoi se disa shtetas, të organizuar si grup, kryenin veprimtaritë kriminale të prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, dhe po bëheshin gati për të transportuar nëpërmjet kufirit detar, një sasi të madhe lënde narkotike kanabis, me qëllim trafikimin drejt Turqisë.

Bazuar në këto informacione u organizua dhe u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “RESET”, në kuadër të të cilit, strukturat hetimore të DVP Vlorë, me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Vlorë, të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe të Repartit Special “RENEA”, arrestuan në flagrancë shtetasit:

Idriz Meminaj, 39 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
Romir Meminaj, 49 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
Emanuel Meminaj, 22 vjeç, banues në fshatin Trevllazër;
Nertin Gjoni, 39 vjeç, banues në fshatin Babicë;
Xhuljano Gjoni, 30 vjeç, banues në fshatin Babicë.

Në vijim të operacionit u ndaluan shtetasit:
Laurent Likaj, 37 vjeç, banues në Vlorë;
Altin Meçi, 50 vjeç, banues në Patos.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe disa shtetas të tjerë, banues në Vlorë dhe në Tiranë, gjenealitetet e të cilëve nuk bëhen me dije, për arsye hetimore.

Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni rezultoi se këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar, për të trafikuar lëndë narkotike cannabis sativa, drejt shtetit turk, nëpërmjet rrugëve detare.

Këta shtetas kishin përpunuar dhe ambalazhuar lëndën narkotike në magazinën e 2 vëllezërve Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj, dhe më pas, me automjetin e drejtuar nga shtetasi Nertin Gjoni, po e transportonin në afërsi të vijës ujore, për ta transportuar më pas me rrugë detare, drejt Turqisë.

Falë veprimeve të shpejta dhe të koordinuara të forcave pjesëmarrëse në këtë operacion është bërë e mundur që në lagjen “11 Janari”, të bllokohet automjeti që drejtohej nga shtetasi Nertin Gjoni.

Gjatë kontrollit në automjet, Policia gjeti dhe sekuestroi 34 pako të madhësive të ndryshme, me lëndë narkotike cannabis sativa në formë boçeje, me peshe totale 500 kilogramë.

Operacioni ka vijuar me kontrollin e magazinës, në fshatin Trevllazër, ku janë kapur në flagrancë shtetasit Idriz Meminaj dhe Romir Meminaj.

Gjithashtu, në vijim të operacionit janë kapur dhe disa shtetas të përfshirë në këtë rast, si dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim.

Gjatë kontrolleve në banesa janë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri, 4 automjete dhe 8 celularë.

Nga hetimet intensive të kryera në kuadër të këtij operacioni ka rezultuar se këta shtetas vepronin të organizuar në formën e një grupi , për të prodhuar, ambalazhuar dhe trafikuar lëndë narkotike kanabis, jashtë vendit.

Operacioni është në vijim dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Operacioni policor “RESET”, një shembull i bashkëpunimit korrekt, ligjor dhe profesional mes Policisë së Vlorës dhe Prokurorisë. Gjej rastin për të falënderuar Prokurorinë e Vlorës dhe të gjithë punonjësit e Policisë të DVP Vlorë, të Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSH-së dhe të Repartit Special “RENEA”, të cilët kontribuan për këtë operacion, në mënyrë të veçantë Komandën e Guardia di Finanza-s në Vlorë, për asistencën gjatë këtij operacioni.

Të nderuar qytetarë të qarkut Vlorë, që na keni mbështetur në punën tonë të përditshme, për të garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe për të luftuar krimin, dua t’ju siguroj se strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë janë maksimalisht të angazhuara dhe të vendosura për të luftuar krimin me ashpërsinë e ligjit. Në këtë kuadër ju ftoj të vijoni të mbështetni Policinë, duke denoncuar çdo paligjshmëri dhe ne ju garantojmë anonimat të plotë, reagim të menjëhershëm dhe profesional.

Faleminderit!

Plagoset policja, 2 persona i bëjnë “pritë” teksa udhëtonte në makinë

Një efektive policie ka mbetur e plagosur mëngjesin e sotëm në Laç.

Mësohet se oficerja e policisë teksa udhëtonte me makinë dy persona i kanë dalë para automjetit dhe janë përfshirë një përplasje me armë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur në afërsi të lagjes Sanxhak ta Laç. Forcat e Policise ne vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë si edhe per identifikimin e autorëve.

Drejt vendnngjarjes janë nisur përforcime nga Tirana, si forca të ndërhyrjes së shpejtë dhe ata të Repartit RENEA.

Zjarr ne nje vile 3 kateshe ne Berat, shtepia ishte lyer me benzin

Një zjarr ka rënë pak minuta pas mesnate në një vilë 3-katëshe në lagjen “30-Vjetori” në Berat. Vila është në pronësi të shtetasit Dritan Qato,i cili jeton prej shumë vitesh në Itali së bashku me familjen, ndërkohë që banesë jeton i vetëm babai Shahin Qato, 78 vjeç. Pas njoftimit të marrë për zjarrin, në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta të Repartit Zjarrfikës Berat dhe forca policie. Zjarri është mundur të lokalizohet në një kohë të shkurtër, ndërkohë që është nxjerrë pa lëndime nga banesa i moshuari. Si pasojë e zjarrit fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, ndërkohë që dëme ka pësuar nga zjarri vetëm kati i tretë i vilës.

Shefi i Repartit të Shërbimit Zjarrfikës Berat, Artan Merko, ka deklaruar se pas njoftimit të marrë, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar zjarrfikësit, që kanë parë se kati i tretë i vilës ishte në flakë. Merko konfirmon se kemi të bëjmë me një zjarrëvënie të qëllimshme, pasi vila ishte e lyer nga të gjitha anët me benzinë. Merko ka deklaruar se në ndihmë kanë mbërritur më shumë forca zjarrfikëse dhe u bë e mundur vënia nën kontroll dhe fikja e plotë e vatrës së zjarrit.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe efektivë të shumtë policie, që do të kryejnë këqyrjen e vendngjarjes, për të bërë të mundur zbardhjen e saj si dhe identifikimin e autorit (autorëve). Ende nuk dihen shkaqet se përse banesa u lye me benzinë dhe më pas iu vu flaka, ndërkohë që burimet policore konfirmojnë se po kontrollohen edhe kamerat e shtëpive dhe të bizneseve përreth vilës.