15 vjecari përfundoi me plagë në spital, policia sqaron konfliktin

NJOFTIMI I POLICISE

Sot me datë 08.03.2024 rreth orës 08:05 në lagjen “18 shtatori”, gjatë një konflikti të çastit një 15-vjeçar ka goditur me mjet prerës bashkëmoshatarin e tij, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

15-vjeçari është shoqëruar në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor vazhdon veprimet në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

8 Marsi, Rama shfaqet duke u dhuruar lule disa grave

Kryeministri Edi Rama me rastin e festës së 8 Marsit, ka uruar gratë dhe nënat shqiptare. Kreu i qeverisë ka ndarë një video të veçantë, ku shfaqet duke u dhuruar disa grave lule.

MIRËMËNGJES dhe me ditën e 8 Marsit që të kujton se nuk ka lule që ua merr nurin, grave të sakrificës, dhembshurisë e dashurisë, ju uroj një ditë të mbarë”,shkruan Rama.

Gjendet arsenal armësh në Vlorë, arrestohet një person

Policia e Vlorës ka zbuluar një arsenal të madh armësh në fshatin Babicë të Vlorës.

Janë sekuestruar me dhjetëra armë, lëndë plasëse, kallashnikov, snajper, kallëpe tritoli e dinamiti e të tjerë. Policia ka vënë në pranga dhe një person.

Efektivët e lartë të Policisë së Vlorës deklaruan se janë sekuestruar me mijëra fishekë, radiomarrëse, pajisje kompjuterike etj. Blutë sqaruan se i arrestuari Luciano Feraj dyshohet se ka lidhje me grupet kriminale, ndërsa shtuan se detajet e reja do të dalin në ditët në vijim.

“Falë një pune intensive të Policisë së Vlorës, kemi arrestuar shtetasin Luciano Feraj, banues në Babicë e Madhe, Vlorë. Ky shtetas u arrestua për posedimin e armëve në një banesë në fshatin Babicë. Kemi sekuestruar sasi të madhe municione, mijëra fishekë, radiomarrëse, pajisje antene, disa njësi qendrore kumpjuteri do iu nënshtrohen ekspertizës, pajisje policie, veshje të ndryshme.

Do hetohet nga SPAK, Prokuroria e Fierit 3 akuza ndaj deputetit të PS, Bujar Çela

Njoftimi:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier regjistroi në datën 03.03.2024 çështjen penale nr. 358, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga nenet 289 prg. 2, 199/a prg. 4, 248 dhe 161 të Kodit Penal.

Kjo çështje penale u regjistrua lidhur me ngjarjen e ndodhur në datën 01.03.2023, rreth orës 15:30’, në lagjen “Karbunarë e Poshtme”, Njësia Admnistrative Nr.5, Lushnjë, ku si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm gjatë punimeve të ndërtimit në objektin “magazinë”, të shtetasit B.Ç, kanë gjetur vdekjen dy persona dhe plagosur shtatë persona të tjerë.

Nga ana e policisë gjyqësore nën drejtimin e prokurorëve të gatshëm, që kanë qenë të pranishëm në vendin e ngjarjes, janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, kryerje  ekspertimit teknik ndërtimi, sekuestrimi dhe këqyrja a dokumenteve, marrja në pyetje e shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes.

Pas administrimit të të dhënave të mësipërme dhe kryqëzimin e tyre, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar emrat e 7 (shtatë) personave që u atribuohet vepra penale, si më poshtë:

– Shtetasit B.Ç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Ndërtimi i paligjshëm”, dhe “Shkatërimi i pronës nga pakujdesia”, parashikuar nga nenet 289 prg. 2, 199/a prg. 4, dhe 161 të Kodit Penal.

– Shtetasit L.Gj, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, parashikuar nga neni 289 prg. 2 i Kodit Penal.

– Shtetasve R.K, K.S, M.P, E.S. dhe I.U, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve të çështjes penale, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka nxjerrë urdhër ndalimi për shtetasit L.Gj, i cili është ekzekutuar nga policia gjyqësore.

Po ashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka kërkuar në gjykatë caktimin e masave të sigurimit me karakter ndalues dhe shtrëngues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 242 e 233 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetasve më poshtë:

–           Shtetasit R.K, me detyrën e kryeinspektorit të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë.

–           Shtetasve M.P, E.S., K.S, me detyrën e inspektorëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Lushnjë.

–           Shtetasit I.U, me detyrën e inspektorit të përgjithshëm të Njësisë Bashkiake Nr. 5, Bashkia Lushnjë.

Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar kërkesat e mësipërme të prokurorisë dhe aktualisht vendimi i gjykatës është ekzekutuar.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, bazuar në nenet 28 pika 1, 75/a, gërma “c” e 84 të Kodit të Procedurës Penale, ka shpallur moskompetencën lëndore dhe i ka dërguar aktet e çështjes penale Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, si prokuroria kompetente për shkak të subjektit, për të vijuar hetimet ndaj shtetasi B.Ç, deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Goditi bashkëshortin me thikë, arrestohet 22-vjeçarja

Një 22-vjeçare është vënë në pranga nga policia e Sarandës.

Blutë njoftojnë se ditën e djeshme 22-vjeçarja më inicialet H. Z. ka goditur me thikë për motive të dobëta, bashkëshortin e saj, shtetasin L. Z., 28 vjeç.

I riu është jashtë rrezikut për jetën.

Publikohet foto e shqiptarit që përdhunonte prej vitesh vajzën e gruas në Greqi, nëna në dijeni

Një 36-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia e Pireut pasi akuzohet për përdhunim dhe akte seksuale me të mitur, shkelje të legjislacionit për të dhënat personale, armët dhe drogën.

Shqiptari, Delin Beqiri akuzohet se ngacmuar seksualisht dhe përdhunuar vajzën e parnteres së tij 50-vjeçare, Dhurata Shpata, e cila ishte në dijeni të ngjarjeve.Ka qenë i dashuri i vajzës, tani 25-vjeçe, ai që shkoi në policinë e Egjinës dhe denoncoi 36-vjeçarin shqiptar ndërsa pak më vonë 25-vjeçarja vendosi të fliste për atë që jetonte prej kaq vitesh.

25-vjeçarja ka treguar se njerku e ngacmonte nga viti 2013 deri në moshën madhore, ndërsa nga mosha 18 vjeçare e deri para pak kohësh e përdhunonte. Por jo vetëm kaq pasi 36-vjeçari pasi ka filmuar aktet e pahijshme e ka kërcënuar vajzën për 7 vite radhazi duke i thënë se do t’i publikojë ato në internet.

Bashkë me 36-vjeçarin është arrestuar edhe nëna e vajzës, bashkëshortja e 36-vjeçarit dhe ndaj saj është ngritur procedim për shkelje të legjislacionit për armët. Sipas mediave greke, nëna 50-vjeçare, e cila gjithashtu u arrestua, është divorcuar kur dy vajzat e saj ishin ende në adoleshencë. Pas ndarjes, gruaja u takua me partnerin e saj 14 vite më të vogël dhe jetuan herët së bashku, ndërkohë që nuk njiheshin ende sa duhet.

25-vjeçarja, në prani të ekspertit dhe psikologes, ka konfirmuar atë që po përjetonte teksa kishte shkuar në Athinë për t’u vizituar nga mjeku dhe një punonjëse sociale.

Ditën e martë, më datë 5 mars, efektivët e nëndrejtorit të Sigurisë së Pireut në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Egjinë, në prani të prokurorit, kanë mbërritur në shtëpinë e familjes, duke arrestuar 36-vjeçarin dhe 50-vjeçaren dhe pas një hetimi gjetën drogë, një shumë të madhe parash dhe armë.

Tre të arrestuar në Fier, u kapen me arme e municione

Tre persona arrestohen me kërkesë të Prokurorisë Fier për Veprën Penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u dha masa e sigurimit “arrest në burg” ndaj tre shtetasve, B.K., B.A. dhe R.K. pasi janë të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal. 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, regjistroi procedimin penal për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal, pasi u konstatua se këta shtetas mbanin dy armë të llojit Pistolet ‘Glock Austria’ 9 mm, në ambiente publike. Armët u sekuestruan në cilësinë e provave materiale.
Pas kryerjes së veprimeve paraprake, u kërkua në gjykatë, marrja e masave të sigurimit personal pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto shtetas, kanë konsumuar elementë të veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i K.Penal.
Në lidhje me këtë procedim, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier po vijohen hetimet në drejtim të përfshirjes së personave të tjerë apo rreth fakteve të tjera penale që mund të jenë konsumuar.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier vazhdon me prioritet luftën kundër krimit dhe parandalimit të veprave penale.

Fier/Arrestohet 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë

Fier/Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra penale të ndryshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin D. L., 24 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka tentuar të vjedhë në kasollen e një 63-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, për shtetasin Xh. J., 27 vjeç, banues në fshatin Zhupan, pasi gjatë kontrollit në biznesin në pronësi të tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos referuan materialet në Prokurori, për shtetasen S. Zh., banuese në Patos, pasi në banesën e saj ishin kryer punime ndërtimi, pa lejen përkatëse.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.