Furnizonin me armë grupet kriminale, policia zbulon bazën 2 te rinjë të arrestuar

Njoftimi: 

/Goditet një tjetër bazë që shërbente për furnizimin me armë dhe municion të grupeve kriminale. Falë inteligjencës policore të siguruar nga strukturat hetimore të DVP Durrës  dhe një hetimi proaktiv disamujor  nën drejtimin e Prokurorisë u finalizua operacioni policor i koduar “Hills”, në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”. Sekuestrohen 4 armë zjarri kallashnikovë, 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 4 celularë, 1 motomjet, një sasi lënde e dyshuar cannabis dhe një shumë parash. Vihen në pranga 2 shtetas.

Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme ndaj armëmbajtjes pa leje dhe parandalimit të ngjarjeve kriminale, specialistët e Sektorit kundër Trafiqeve të Paligjshme të DVP Durrës, bazuar në inteligjencën policore, për dy shtetas që mbanin një sasi armatimi të fshehur dhe ua shitnin grupeve kriminale, referuan materialet në Prokurori e cila regjistroi procedimin penal. Si rezultat i hetimit disamujor me metoda proaktive dhe në drejtimin e Prokurorisë, u siguruan prova ligjore mbi veprimtarinë kriminale të mbajtjes së një sasie armatimi, me qëllim furnizimin e grupeve kriminale.

Në këtë kuadër dhe në zbatim të planit operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, shërbimet e Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Hills”. Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë në fshatin Shkallnur, duke shitur armë zjarri luftarake kallashnikovë, shtetasit:

  1. T., 20 vjeç dhe E. P., 19 vjeç, të dy banues në fshatin Shkallnur, Durres.

Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, gjatë muajve të fundit, kanë shitur sasi armatimi dhe municioni luftarak.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 armë zjarri kallashnikovë me 20 krehra, qindra fishekë luftarak, 1  motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar armët e municionin, me qëllim shitjen,  63 700 lekë dhe një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Fier-Kryente punime pa leje në banesën e tij, procedohet 46-vjeçari

Prokuroria e Fierit ka nisur procedimin në gjendje të lirë për shtetasin A.B., 46 vjeç, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi në banesën e tij, pa leje.

Ndërkohë, Policia raporton nisjen e procedimit në gjendje të lirë p-A. B., 46 vjeç, banues në fshatin Daullas, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi në banesën e tij, pa leje;

Përshtatën lokalin për shitje të kanabisit, në pranga 2 persona

Policia ka vënë në pranga shtetasit A. Ç., 35 vjeç dhe H. R., 39 vjeç, pasi kishin përshtatur një lokal për shitje të kanabisit.

Lokali është në pronësi të shtetasit H.R., ndërsa A. Ç. siguronte lëndën narkotike. Gjithashtu, po punohet për kapjen e një shtetasi tjetër.

Njoftimi i Policisë:

/Finalizohet operacioni policor i koduar “Furnitori”. Sekuestrohen 6 kg lëndë narkotike cannabis (një pjesë në doza), një sasi farash cannabisi dhe 2 celularë.

Zbulohet një lokal në fshatin Krahës 1, i përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndës narkotike cannabis sativa.

Vihen në pranga pronari i lokalit dhe një 35-vjeçar i cili siguronte cannabisin që shitej në këtë ambient.

Punohet për kapjen e një shtetasi tjetër të implikuar në këtë rast.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli 2”, se disa shtetas përdornin dhe shitnin drogë, në një lokal në fshatin Krahës 1, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Tepelenës, në bashkëpunim me ata të sektorëve Operacional dhe për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër, finalizuan operacionin policor të koduar “Furnitori”.

Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Ç., 35 vjeç dhe H. R., 39 vjeç, të dy banues në fshatin Krahës 1.

Nga hetimet rezultoi se shtetasi A. Ç. siguronte lëndën narkotike cannabis sativa, me qëllim përdorimin dhe shitjen në lokalin në pronësi të 39-vjeçarit.

Gjatë kontrolleve në banesën e shtetasit A. Ç., u gjet dhe një sasi farash cannabisi, që posedoheshin me qëllim shitjen.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u identifikua si bashkëpunëtor në këto veprimtari kriminale, dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. Sh., 39 vjeç, banues në fshatin Krahës 1. Punohet intensivisht për kapjen e tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Sekuestrohen dy armë zjarri dhe municion luftarak, dy në pranga

Dy persona janë vënë në pranga në Tiranë, ndërsa janë sekuestruar dy armë zjarri, municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike e llojit kokainë.  Për këtë janë arrestuar dy persona të dyshuar.

Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur veprimtarinë kriminale dhe lidhjen e tyre me grupe të tjera. Të arrestuarit janë Edevaldo Haxhiu, 39 vjeç, banues në Tiranë Azemvllasi Elezi.

Ky i fundit në momentin e ndalimit, nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, por ka tentuar të largohej dhe gjatë tentativës për t’u larguar ka hedhur në tokë, një armë zjarri pistoletë.

Fier/Procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas

Fier/Procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas, për vepra penale të ndryshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

-A. B., 46 vjeç, banues në fshatin Daullas, pasi u kap duke kryer punime ndërtimi në banesën e tij, pa leje;

-F. L., 37 vjeç dhe G. L., 32 vjeç, të dy banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë kanosur një shtetas 38 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi gjendje të lirë për shtetasit E. K., 51 vjeç dhe L. K., 51 vjeç, të dy banues në fshatin Fiershegan, pasi dyshohet se gjatë një konflikti për motive pronësie, kanë kanosur me një send të fortë, një shtetas 63 vjeç.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Kriza demografike prek arsimin dhe nivelin e mësuesve

Kriza demografike po jep pasoja negative edhe në sektorin e arsimit. Të dhënat zyrtare nga Portali i Mësuesit tregojnë se në bashkitë e Kukësit dhe Dibrës ka mungesa akute për mësues matematike, teksa shkollat periferike të vendit po vuajnë për mësues në profilet kryesore. Mungesa e burimeve njerëzore në arsim po prek edhe Tiranën, teksa në nivelin e mësuesve ekzistues, vihet re problematika e aftësive. Testimi i fundit i njohurive të mësuesve tregoi se 47.5% e tyre në të gjithë vendin zotërojnë njohuri të pamjaftueshme për çështje që lidhen me mësimdhënien. Mësuesit më të përgatitur janë në Kolonjë, Divjakë, Devoll dhe Përrenjas, teksa Tirana rezultoi poshtë mesatares kombëtare. 94% e trupës mësimore nuk kanë aftësi dixhitale. Ekspertët bëjnë thirrje për rritje të investimeve në arsim, si e vetmja mënyrë për të orientuar vendin nga një model ekonomik i suksesshëm
 
Blerina Hoxha

Në shkollat e arsimit parauniversitar në Bashkinë e Kukësit mungojnë aktualisht 29 mësues matematike, në Dibër 23, madje edhe në Tiranë, 11. Në të gjithë vendin, arsimi 9-vjeçar dhe i mesëm ushtron aktivitet me 159 mësues matematike mangët, sipas të dhënave zyrtare nga Portali Mësues për Shqipërinë nga Ministria e Arsimit. (shiko grafikun: Vendet vakante për mësues matematike në bashkitë e vendit)

Burimet njerëzore janë bërë pengesë akute në shumë aktivitete ekonomike, por ato kanë prekur edhe sistemin arsimor, i cili në vetvete është jetik, pasi përgatit të gjitha profesionet e së ardhmes.

Në qarqet më të varfra, Kukës dhe Dibër, thuajse shumica e shkollave nuk kanë një mësues të profilit të matematikës.

Nga bashkitë e Veriut ka shumë pak nxënës që zgjedhin të studiojnë matematikë, por edhe ata që kanë kryer studimet nuk kthehen në vendlindje për të ushtruar profesionin e mësuesit.

Portali Mësues për Shqipërinë tregon se, ka mungesa në stafet mësimore në të gjithë vendin dhe në të gjitha profilet e lëndëve, teksa në një të ardhme jo të largët, mungesat do të jenë edhe më të mëdha dhe cilësia e mësuesve do të jetë në rënie.

Këtë vit akademik, për të aplikuar në programet e studimit Bachelor nevojitej minimalisht mesatarja 6.5 (përjashtim bëjnë programet e gjuhëve të huaja, të mësuesisë, si dhe degëve të Universitetit të Mjekësisë). Ndërsa për programet e studimit profesional 2-vjeçar nuk ka kriter mbi mesataren.

Në vitin e akademik 2024-2025, degët që lidhen me mësuesinë – Fizika, Historia, Gjuha shqipe dhe Letërsia, Arkeologjia, Biologjia, Filozofia kishin mbi 70-80% të kuotave të lira në raundin e parë, teksa dega e matematikës në Fakultetin e Shkencave është në rrezik mbyllje, nga mungesa e studentëve.

Në këto kushte, një gjimnazist me mesatare 5 që studion për matematikë nuk garanton cilësi në mësimdhënie në të ardhmen. Aktualisht, lënda e matematikës, në shumicën e shkollave jepet nga brezi që ka mbaruar para viteve 1990.

Rregullat e kohës përzgjidhnin gjimnazistët me medalje për të studiuar matematikë e për rrjedhojë, burimet njerëzore që u krijuan më pas ishin në nivel shumë më të lartë se mesatarja e mësuesve të profileve të tjera.

Me daljen e këtij brezi në pension, lënda e matematikës rrezikon të mbetet pa mësues ose në rastin më të mirë, do të jepet nga maturantët që kishin rezultatet me të dobëta.

Burimet njerëzore në arsim nuk mund të sigurohen kaq lehtë nga vende të tjera, siç po synojnë kompanitë private të zëvendësojnë forcën e punës. Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, tani i angazhuar në trupën akademike, thotë se, vendi ynë ende nuk e ka kuptuar që mësuesi me kompetencë në një lëndë në Shqipëri nuk mund të punësohet më.

“Mësuesi duhet të diplomohet minimumi për dy lëndë, pasi nuk ka më shkolla me 40 nxënës. Si nga pikëpamja e menaxhimit, duhen formime në fusha të përafërta, pasi kjo i shërben aspektit të menaxhimit të burimeve njerëzore, si dhe rritjes së nivelit teorik të mësuesve”, tha z. Tafaj.

Sipas tij, me uljen e numrit të nxënësve në shkolla dhe universitete, qeveria ka më shumë burime financiare në dispozicion që të rrisë cilësinë e mësimdhënies.

Ekspertë të tjerë kanë vënë në dukje se qeveria duhet të vendosë stimuj financiarë për studentët në degët e mësuesisë, duke rritur edhe mesataren e pranimit dhe nga ana tjetër, duhet të rriten edhe pagat për mësuesit në sektorin publik, në mënyrë që mësuesia të jetë konkurruese në tregun e punës.

Burimi: Portali Mësues për Shqipërinë

Testimi i mësuesve, 47% me njohuri të pamjaftueshme 

Në vitin 2021, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), publikoi rezultatet e testimit të njohurive të mësuesve për nivelin profesional në rang vendi. Kjo është tabloja më e fundit që tregon cilësinë e trupës arsimore.

Nga rreth 28 mijë mësues në arsimin parauniversitar, në testim morën pjesë rreth 20 mijë mësues. Rezultatet e vlerësimit në nivel kombëtar për fushën “Mësimdhënia dhe të nxënit” treguan se në nivel kombëtar, rreth 2587 mësues të të gjitha profileve në arsimin parauniversitar morën rezultate shumë të dobëta, duke përbërë 12.7% të totalit të mësuesve të testuar.

7047 mësues rezultuan me mungesa të mëdha në njohuri që kanë nevojë për përmirësim të cilësisë (përbënin 34.7% të totalit të mësuesve të testuar), 34,3% e mësuesve morën rezultate mesatare dhe të kënaqshme për mësimdhënie dhe vetëm 18,1% e tyre kishin arritje shumë të kënaqshme në lidhje me mësimdhënien.

Siç tregojnë rezultatet e testimit, numri i mësuesve që u vlerësuan me pikët maksimale (9%) ishte shumë i ulët, me vetëm 2527 mësues dhe pjesa më e madhe e tyre rezulton me 5 ose 6 pikë.

Rezultatet treguan se në nivel kombëtar, vetëm 22.5% e mësuesve zotërojnë njohuri në një nivel shumë të kënaqshëm. Rreth 53% kanë nivel të kënaqshëm mesatar dhe 21% e trupës mësimore kanë nevoja shumë të mëdha për përmirësim dhe 8% e mësuesve janë tepër dobët.

Të dhënat zyrtare mbi njohuritë te mësuesit e sistemit parauniversitar tregojnë se gati një e katërta e trupës janë shumë dobët.

Testimi tregoi se 47.5% e mësuesve në të gjithë vendin zotërojnë njohuri jo të mjaftueshme për çështje që lidhen me mësimdhënien bazuar në kurrikulën me kompetenca.

Rezultatet më të dobëta i kanë mësuesit në Drejtorinë Rajonale Arsimore të Lezhës, ku përfaqësohen qarqet e Veriut, ku më shumë se gjysma e tyre, rreth 51%, kanë nivel shumë të dobët.

Shkollat në zonat rurale në qarqet e Veriut kanë mungesa akute për mësues dhe po vuajnë zbrazjen e popullsisë.

Në njësinë e Administrative të Shemrisë në Kukës, ku aktualisht funksionon shkolla e mesme, gjimnaz, nuk ka mësues matematike dhe lënda jepet me raunde nga mësuesit e profileve të tjera. Në kushte të ngjashme janë edhe shumë shkolla në zonat rurale të Dibrës dhe Kukësit.

Më të përgatiturit, mësuesit e kimisë, matematikës dhe gjuhës shqipe

Rezultatet e testimit të mësuesve, sipas degëve, tregojnë se në lëndët kyçe në arsimin parauniversitar ende kemi mësues me njohuri të kënaqshme. Trupa e mësuesve të matematikës, kimisë, gjuhës shqipe dhe biologjisë morën rezultate më të larta në testimin e njohurive për mësimdhënien.

Gati 60% e mësuesve të kimisë kishin njohuri të kënaqshme dhe shumë të kënaqshme, 61% e mësuesve të matematikës ishin në këtë nivel, dhe gjithashtu 54% e mësuesve të gjuhës shqipe dhe letërsisë ishin në nivel të kënaqshëm.

Rezultatet më të dobëta i morën mësuesit e arsimit parashkollor, profesional dhe fillor, ku shumica e tyre ishin me rezultate të dobëta dhe kanë nevoja të domosdoshme për përmirësim.

Mësuesit më të mirë i ka Kolonja, Divjaka, Delvina, Kavaja dhe Përrenjasi. Tirana, nën mesataren kombëtare

Rezultatet e testimit treguan se mësuesit më të mirë të vendit nuk janë në bashkitë e mëdha dhe as në Tiranë, ku ka konkurrencë të burimeve njerëzore. Në disa bashki vogla, të tilla si Kolonja, Delvina, Divjaka, Kavaja dhe Përrenjasi, mësuesit paraqitën rezultate më të mira se sa mesatarja kombëtare 5.6 nga 9 pikë të mundshme.

Rezultate të mira me diferencë nga bashkitë e tjera i kishin mësuesit në Bashkinë e Kolonjës me 7 pikë gjithsej, e ndjekur nga Bashkia e Divjakës.

Gjithashtu, bashkitë e Kamzës dhe Kavajës kishin mësues me nivel më të lartë se mesatarja kombëtare, të ndjekura nga bashkitë e Përrenjasit, Pogradecit, Selenicës, Beratit, Belshit.

Bashkitë me nivelin më të dobët të mësuesve ishin Bulqiza, Librazhdi, Gjirokastra, Hasi, Klosi, Lezha, Malësia e Madhe, Maliqi, Mallakastra, Tepelena, Fushë-Arrësi, Tropoja, Rrogozhina, etj.

Në nivel mesatar u paraqitën mësuesit në bashkitë e Kukësit, Elbasanit Fierit, Korçës, Krujës, Kurbinit etj.

Tiranë, kryeqyteti i vendit, kishte një nivel të arritjeve të mësuesve poshtë mesatares kombëtare. Tirana, e cila ka mundësi më të mira me burime njerëzore u rendit dobët.

Mësuesit e Bashkisë së Tiranës morën më pak se 5.6 pikë që ishte mesatarja kombëtare.

Testimi tregoi se me rritjen e viteve të punës përmirësohet edhe cilësia e mësuesve. Kategoria e dytë, me mbi 10 vite punë, tregoi rezultate më të larta se mësuesit e rinj. Ndryshe nga zonat rurale, mësuesit në qytete dhe zonat urbane morën rezultate më të larta.

Kurrikula me kompetenca, 38% e mësuesve nuk kanë njohuri të mjaftueshme

Prej vitesh, Shqipëria ka ndryshuar përmbajtjen mësimore dhe mënyrën e dhënies së mësimit në nivelin parauniversitar dhe zgjodhi kurrikulën britanike si model. Ajo bazohet në mësimdhënie ku përfshihen nxënësit dhe teknologjia është në themel të mësimdhënies.

Vlerësimi në lidhje me aftësitë për zbatimin e kurrikulës ka treguar se shumica e mësuesve, 38% e tyre, nuk kanë njohuri të mjaftueshme, ndërkohë 34% e tyre paraqiten me rezultate të mira, por me nevoja për përmirësim të mëtejshëm.

Ekspertët e arsimit vlerësojnë dobësitë për adoptimin e kurrikulës së re, si një ndër shkaktarët për rënien e arritjeve të nxënësve shqiptarë në testin PISA 2022. Shqipëria ka bërë dy dekada pas në sektorin e arsimit, sipas Testimit të fundit Ndërkombëtar PISA të kryer me nxënësit 15-vjeçarë.

Në matematikë, ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012. Në letërsi morën 358 pikë, 47 më pak se më 2018 dhe 35 më pak se më 2012.

Edhe në shkenca, rënia e ishte e ngjashme.

Një nga arsyet kryesore të rënies në rezultate, në krahasim me vitet e mëparshme në testin e PISA është edhe ndryshimi i kurrikulës në arsimin parauniversitar, thotë Dr. Adrian Nacco, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Matematikës.

Zoti Naço, i cili prej vitesh punon me talentet kryesisht në shkenca, tha se treguesit statistikorë në vite, bëjnë të ditur se rezultatet më të mira janë marrë në vitin 2018 në testin PISA.

Ky është një tregues se reforma e ndërmarrë në 2017-2018 e në vijim, jo vetëm nuk ka dhënë rezultatet që priteshin, por ka shënuar regres në tërësinë e tij dhe veçanërisht në lëndën e matematikës.

Mësuesja Irma Marku, e cila jep lëndën e Gjuhës Shqipe në një nga gjimnazet e kryeqytetit, tha se kurrikula re bëhet defektoze, pasi mësuesit nuk janë të aftë ta adoptojnë.

Mësuesja e matematikës N. M. në arsimin e mesëm, në një nga shkollat e Lezhës, tha se, kurrikula e re po përçon më pak njohuri te nxënësit.

Më parë, matematika në shkollë të mesme kishte shpjegim në librin e nxënësit, teorema dhe përkufizime për çdo temë mësimi, ndërsa me ndryshimin e kurrikulës, më shumë nxitet mësimi logjik, pa orientuar nxënësin nga rregullat që më parë mësoheshin edhe përmendësh.

Mirëpo kjo metodë nuk po rezulton efikase, pasi mësuesit nuk u trajnuan dhe nxënësit kanë interes më të ulët për të ndërvepruar, sipas modelit të ri.

“Me kurrikulën e vjetër, nxënësit detyroheshin të mësonin së paku përmendësh tabelën e shumëzimit, përkufizimet dhe teoremat dhe gjatë këtij procesi mësonin diçka, ndërsa në kurrikulën e re, këto detyrime janë hequr dhe tani shumica e nxënësve nuk mbajnë mend as veprimet më të lehta matematikore”, – tha ajo.

B.Muslia, i cili jep mësim në një shkollë 9-vjeçare në Kukës tha se, kurrikula në kompetenca ka dështuar, pasi mësimdhënia në bazë të saj kërkon logjistikë dhe mjete dhe teknologji. “Mungojnë mjetet e punës në shkollë. P.sh., teksti i biologjisë është ndërtuar një orë mësim, një orë veprimtari praktike ose punë laboratori.

Në shumicën dërrmuese të shkollave mungojnë mjetet e demonstrimit, sidomos në lëndët shkencore. Mjetet demonstruese praktike, dhe në 90% ose më shumë edhe ato vizuale.

Nga ana tjetër, një mësues biologjie ndoshta mund të realizojë edhe vetë ndonjë orë të veprimtarisë praktike, megjithatë edhe kjo ka mangësi ose nuk realizohet, pasi mësuesit janë të ngarkuar me lëndë të tjera dhe nuk ka kohë të mbledhin material për veprimtarinë”.

Ndërkohë që reforma arsimore në vendin tonë ka nisur nga klasat e 10-ta dhe të 11-ta, është shtrirë në klasat 8 dhe 9 dhe 12 dhe më pas, edhe në klasat më të ulëta.

“Mendoj se një nga arsyet që rezultatet në matematikë kanë rënë është edhe fakti i heqjes së provimit me zgjedhje në maturë dhe kjo ka thelluar hendekun e studentëve kur prezantohen me një nivel më të lartë njohurish në studimet e tyre të mëtejshme në nivel universitar”, – tha z. Naço.

94% e mësuesve, pa aftësi digjitale

Mësuesit shqiptarë shfaqën rezultate mjaft të dobëta në aftësitë dixhitale, pasi rezultatet e testimit kanë treguar se 94% e tyre kanë dhënë përgjigje të pasakta.

Shqipëria gjithashtu përafrohet me Agjendën Dixhitale për Ballkanin Perëndimor, një nismë e financuar nga BE që synon të përmirësojë dixhitalizimin në procesin e të mësuarit.

Ai përfshin përmirësimin e infrastrukturës dixhitale të shkollave, sigurimin e aksesit në internet me shpejtësi të lartë për shkollat dhe vendosjen e kanaleve dixhitale të komunikimit ndërmjet shkollave dhe njësive arsimore rajonale, ndër nisma të tjera.

Sipas Strategjisë së Axhendës Dixhitale 2022-2025, njohuritë e TIK-ut dhe kodimit janë integruar në programin mësimor, duke filluar nga viti shkollor 2022.

Programi i ri i TIK-ut për nxënësit e klasës së parë ishte hartuar dhe miratuar nga Ministria e Arsimit dhe janë zhvilluar dy manuale për të mbështetur mësuesit dhe nxënësit e këtij niveli.

Në vitin shkollor 2022-2023, zbatimi i Lëndës TIK filloi nga klasa e parë në 100 shkolla pilot në 34 qytete, duke përfituar 7 079 nxënës. Në arsimin e lartë, për vitin akademik 2022-23, nga 121 352 studentë të regjistruar, 9 297 zgjodhën kurse të lidhura me TIK-un, duke shënuar rritje të vazhdueshme prej disa vitesh.

Mirëpo në shkolla, mësuesit që japin lëndët e teknologjisë dhe informacionit kanë njohuri të pamjaftueshme, njohuri që duhet të zotërohen edhe nga mësuesit e profileve të tjera, pasi çdo lëndë ka në themel mësimdhënien me kompjuter.

Kërkohet me urgjencë vëmendja ndaj arsimit dhe rritjes së financimeve

Prej dekadash, qeveritë shqiptare i kanë orientuar burimet financiare nga buxheti shtetit në asete fizike, teksa sektori i arsimit, themeli që siguron zhvillimin e qëndrueshëm, ka qenë sistematikisht i nënfinacuar.

Teksa ekonomia e vendit u zgjerua dhe buxheti arkëtoi më shumë të ardhura, shpenzimet publike për sektorët prioritarë, arsimi dhe shëndetësia kanë shënuar ulje në vitin 2022, si në raport me PBB-në, edhe me shpenzimet e përgjithshme buxhetore.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në vitin 2022, shpenzimet publike në sektorin e arsimit ishin 62.9 miliardë lekë ose 2,9% e PBB-së.

Krahasuar me vitin 2021, shpenzimet publike në arsim shprehur si përqindje ndaj PBB-së, kanë shënuar ulje me 0,2 pikë përqindje, ndërkohë shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,1 pikë përqindje.

Financimet në arsim kanë kthyeshmëri të lartë në krahasim me sektorët e tjerë, pasi rrisin kualitetin dhe aftësitë e kapitalit human. Një forcë pune e mirarsimuar është në gjendje të çojë përpara një model më të avancuar ekonomik.

Menaxheri i Bankës Botërore në vendin tonë, Emanuel Salinas, mendon se, Shqipëria tani është e detyruar të investojë te të rinjtë.

“Kapitali njerëzor i Shqipërisë është zemra e trajektores së zhvillimit të vendit, aftësisë së tij për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimit të standardeve të të ardhurave dhe jetesës me mesataren e Bashkimit Europian.

Për ta thënë thjesht, Shqipëria nuk mund të bëhet një vend i fortë, i avancuar dhe me të ardhura më të larta pa angazhuar një kapital njerëzor po aq të fortë dhe produktiv”,- tha ai. Por, nuk mund të kemi vetvetiu një kapital njerëzor më të fortë dhe të mirëpërdorur, sipas tij.

“Që të arrihet kjo, duhen politika të mirëmenduara dhe kjo kërkon që ky kapital të jetë prioriteti i investimeve aktuale dhe të ardhshme dhe gjithashtu kërkon reforma të mëdha në institucione dhe sektorë si arsimi.

E gjithë kjo nuk do të ndodhë brenda natës dhe do të kërkojë përpjekje dhe burime, por është investimi i vetëm i rëndësishëm që nuk mund ta shpërfillim.

Sa më shpejt të fillojmë me të gjitha këto, aq më shpejt do të mund ta trajtojmë këtë rrezik madhor për Shqipërinë”, thotë zyrtari i lartë i BB-së.

Kapitali njerëzor mund të përmirësohet, duke rritur investimet në arsim dhe shëndetësi.

Z.Salinas përllogarit se popullsia shqiptare mund të rrisë me 40% produktivitetin e vet gjatë gjithë jetës, nëpërmjet përmirësimeve në shëndetësi dhe arsim. Në të vërtetë, që njerëzit të kenë akses në punë më të mira, nuk është thelbësore vetëm të kenë aftësitë dhe njohuritë që kërkohen në ekonomi, por edhe mirëqenie fizike, mendore dhe sociale, u shpreh ai.

Në mënyrë krahasimore, në lidhje me shpenzimet në arsim si përqindje e PPB-së, treguesi i Shqipërisë është poshtë vendeve të rajonit që financojnë 4-5% të PBB për arsimin dhe poshtë vendeve të OECD që financojnë 6-7% të PBB-së tyre për arsimin.

Ndërkohë, sektori i arsimit po tkurret si rrjedhojë e rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë që ka çuar në uljen e nxënësve në klasa. Hapësirat financiare po zgjerohen dhe ekspertët e shohin si mundësi të artë për rritjen e financimeve, sidomos për universitetet dhe kërkimin shkencor.

Gjatë tri dekadave të tranzicionit, sektori i arsimit në vend u tkurr me rreth 35%, nga rënia e numrit të nxënësve. Zhvillimet demografike lajmërojnë se në dekadën në vijim do të kemi sërish rënie dhe do të ketë përgjysmim të studentëve.

Rënia e lindjeve dhe emigracioni i përqendruar në moshat e reja pritet të çojë numrin total të studentëve që regjistrohen në vit të parë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2032 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete, nga rreth 120 mijë që ishin në vitin akademik 2022-2023.MONITOR

Greqi/ Kundër universiteteve private, studentët protestojnë para parlamentit

Mijëra studentë edhe aktivistë protestojne në qendër të Athinës, teksa parlamenti është mbledhur për të miratuar projektligjin qe lejon hapjen e universiteteve private.

Qeveria e qendrës së djathtë të Greqisë argumenton se kjo reformë në arsimin e lartë do të ndihmojë në kthimin në vend të punonjësve të kualifikuar. Por ky plan është kundërshtuar nga opozita edhe nga studentët, të cilët thonë se ligji shkel Kushtetutën dhe mund të krijojë një sistem me dy nivele për studentët.

Me parullat “Diplomat me meritë. Studime falas” Shoqatat studentore nga e gjithë Greqia marshuan drejt Parlamentit. Në demonstratë morën pjesë edhe sindikatat e mësuesve, studentët dhe federatat. Referuar mediave vendase ishin mbi 8 mijë demonstrues.

Por protesta përshkallëzoi në dhunë. Demonstruesit hodhën sende të forta ndaj oficerëve. Këta të fundit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.
6 persona mbetën të plagosur, ndërsa autoritetet shoqëruan 9 persona në komisariat.

Sipas të dhënave të Ministrisë greke të Arsimit, më shumë se 650 mijë studentë aktualisht studiojnë në universitete shtetërore në Greqi, dhe 40 mijë të tjerë jashtë shtetit

Policia jep detaje për sekuestrimin e mbi 50 kg drogë në Kapshticë

Policia e Shtetit ka dhënë më tepër detaje për sekuestrimin e më tepër se 50 kilogramë drogë në pikën kufitare të Kapshticës.

Efektivët shprehen se operacioni i sotëm u zhvillua në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”. Përpos sekuestrimit të mbi 50 kg drogë, e cila do të dërgohej për në Greqi, efektivët kanë sekuestruar edhe armë, si dhe celularë e 5 makina.

Njoftimi:

Kapshticë/Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”.

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Again”, për goditjen e një tjetër rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Operacioni i finalizuar pas hetimeve 1-vjeçare, zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare.

Sekuestrohen 51 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 1 armë zjarri pistoletë, 6 celularë dhe 5 automjete.

Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike, që dyshohet se do trafikonte këtë sasi me automjetin e tij, në drejtim të Greqisë.

Vihen në pranga edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë të dyshuar të tij.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, pas një pune hetimore 1-vjeçare të zhvilluar për goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në vijim të zbatimit të masave në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Again”.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

-J. S., 42 vjeç; E. M., 28 vjeç dhe S. S., 24 vjeç, banues në Korçë.

Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara gjatë fazave hetimore të këtij operacioni, ku shtetasi J. S., dyshohej se do të trafikonte lëndë narkotike në drejtim të Greqisë, organizuan punën dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, bënë ndalimin e automjetit tip “Audi Q7”, që ky shtetas drejtonte. Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë,  përfshirë edhe procesin e skanimit të kryer nga autoritetet doganore, në pjesën e shasisë të automjetit, në një vend të përshtatur u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 51 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një fabrikë riciklimi për vajrat e automjeteve, në pronësi të shtetasit J. S., u gjet 1 armë zjarri pistoletë tip “Zastava”. Së bashku me sasinë e lëndës narkotike dhe armën e zjarrit, u sekuestruan 6 celularë dhe 5 automjete.

Nga hetimet e kryera dyshohet se bashkëpunëtorë të 42-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale ishin edhe dy shtetasit e tjerë E. M., dhe S. S.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.