Pas Vlorës shtrenjtohet me 12-50% çmimi ujit për familjarët në 3 Bashki

Më shumë do të paguajnë edhe familjet e Kurbinit që nga 5 prill çdo m3 ujë do ta paguajnë 45 lekë. Tarifa aktuale në fakt është 30 lekë/m3 për familjarët çka tregon se rritja është thuajse me 50 për qind. Për klientët publikë pra institucionet dhe bizneset ERRU ka lënë në fuqi tarifat aktuale prej 80 dhe 120 lekë/m3. Për Mirditën, ku përfshihen Rubiku dhe Rrësheni, ERRU ka vendosur që familjarët të paguajnë çdo metër kub ujë me një tarifë 45 lekë teksa tarifa aktuale është 30 lekë, pra 50 për qind më shumë.

Shërbimi i kanalizimeve të ujërave të ndotura

Teksa për furnizimin me ujë ka rritje vetëm për familjaret, vendimi i ERRU për ndërmarrjen e Lezhës sjell rishikim në rritje për të tre kategoritë sa i takon shërbimit të kanalizimeve të ujit të ndotur. Konkretisht për Lezhën për familjarët tarifa bëhet 19 lekë/m3 ujë nga 18 që është aktualisht, për bizneset 29 lekë dhe për insitucionet 25 lekë teksa më herët për këta dy të fundit ishte 27 lekë dhe 22 lekë. Për Kurbinin, Rubikun dhe Rrëshenin tarifat e miratuara janë 15 lekë m3 për familjarët dhe 25 lekë për bizneset dhe insitucionet.

Më herët ERRU miratoi një tjetër vendim që rishikonte çmimin për Vlorën dhe ku familjet nga shkurti paguajnë 33 për qind më shumë sesa më parë./ Revista “Monitor”

Pluhuri dhe rëra e Saharës mbulojnë Evropën Juglindore

Erërat jugore sollën sasi të mëdha rëre të imët nga Saharaja në Evropën Juglindore, me nivele të grimcave të matura mbi 500 mikrogramë në Greqinë Perëndimore.

Sipas Universitetit të Athinës, nivelet e larta të grimcave pritet të vazhdojnë për disa ditë. Më tej, në ishullin e Kretës temperaturat arritën në 32 gradë Celsius, ndërsa në Athinë deri në 24 gradë Celsius.

Mjekët kanë këshilluar personat që vuajnë nga sëmundjet e frymëmarrjes ose të zemrës që të mos kalojnë shumë kohë jashtë.

”Puna e mundimshme fizike gjithashtu duhet të shmanget”, thanë ata dhe paralajmëruan se ”nivelet prej 50 mikrogramësh grimcash dhe më të larta mund të çojnë në probleme të frymëmarrjes”.

Kursi Euro-Lek “kërcen” brenda një dite në nivelin më të lartë 

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun shënoi një rritje të fortë ditën e sotme.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të mërkurën me 104.63 lekë, në rritje me 1.7 lekë krahasuar me ditën e martë.

Kursi i këmbimit të Euros ka kërcyer brenda një dite në nivelin më të lartë të vitit 2024, ndërsa javën e kaluar shënonte nivelet më të ulëta të këtij viti kalendarik. Një lëvizje kaq e fortë ditore e Euros nuk regjistrohej qysh prej gushtit të vitit të kaluar.

Sipas burimeve nga sektori financiar, rritja e fortë e Euros ka ardhur si rezultat i blerjeve në vlera të mëdha nga subjekte të veçanta, që është e vështirë të identifikohen.

Rritja kaq e madhe e kursit brenda një dite të vetme dëshmon edhe njëherë se tregu valutor në vend është shumë i cekët dhe i brishtë. Ringritje të tilla të forta dhe afatshkurtra të kursit të këmbimit Euro-Lek kanë ndodhur shpesh në dy vitet e fundit.

Luhatshmëria në rritje e kursit gjatë viteve të fundit mund të ketë nxitur më shumë sjellje spekulative nga aktorë të tregut, që në kushtet e një tregu valutor të vogël shkaktojnë amplituda të mëdha afatshkurtra. Megjithatë, eksperienca e viteve të fundit ka treguar se këto momente zgjasin pak dhe kursi u kthehet shpejt tendencave afatgjata.

Si gjithmonë, rritja e fortë e kursit të Euros është reflektuar me përpikmëri edhe në kursin e valutave të tjera. Edhe Dollari Amerikan u rrit me afërsisht 1.6 lekë dhe arriti nivelin më të lartë që prej muajit shkurt, në 96.52 lekë. Paundi Britanik u rrit akoma më shumë, me gati 1.9 lekë dhe arriti në 121.94 lekë, gjithashtu niveli më i lartë që prej mesit të muajit shkurt.

Tendencat e pozicionit të jashtëm të ekonomisë të disponueshme deri tani nuk paralajmërojnë ndonjë zhvendosje organike në rritje të kursit të këmbimit Euro-Lek.

Deficiti i llogarisë korrente preku vlerën më të ulët historike për vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky deficit zbriti në vlerën e 191 milionë eurove, në rënie me 78% krahasuar me vitin 2022. Edhe tremujori i fundit 2023 rezultoi me një rënie të ndjeshme të deficitit të llogarisë korrente, në vlerën e 232 milionë eurove, afërsisht sa gjysma e deficitit që ishte shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për më tepër, vlera vjetore rekord e investimeve të huaja direkte për 2023, prej gati 1.5 miliardë eurosh, e ka tejkaluar me më shumë se shtatë herë vlerën e deficitit të llogarisë korrente.

Me hyrjen në tremujorin e dytë, është e pritshme që flukset valutore në ekonominë shqiptare të rriten, kryesisht si rezultat i turizmit. Ekspertët mendojnë se në këtë moment është e vështirë të identifikohet ndonjë faktor që mund të sjellë rritje të qëndrueshme të kursit të këmbimit Euro-Lek. Rritja e të mërkurës ka të gjitha tiparet e një paniku që po bëhet i zakonshëm në tregun valutor dhe pason kërkesat e mëdha dhe të përqendruara nga subjekte të veçanta për valutë të huaj.

Burimi: Banka e Shqipërisë

Rritja e çmimit të naftës, SHBA thirrje Kievit: Mos godisni më rafineritë ruse

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Ukrainës të ndalojë sulmet me dronë ndaj infrastrukturës energjetike ruse me argumentin se goditje të tillë mund të rezultojnë në një rritje të çmimeve globale të naftës dhe të nxisin Moskën të hakmerret.

Paralajmërimet e përsëritura nga Washingtoni i janë përcjellë zyrtarëve të lartë të SBU, shërbimit të sigurimit shtetëror të Ukrainës dhe drejtorisë së saj të inteligjencës ushtarake të njohur si GUR, shkruan Financial Times.Që nga fillimi i pushtimit rus, këto dy shërbime të inteligjencës ukrainase kanë zgjeruar vazhdimisht programet e tyre të dronëve për të përfshirë objektivat ruse në tokë, det dhe në ajër.

Media e njohur citon një zyrtar identiteti i të cilit nuk bëhet publik të pohojë se SHBA është gjithmonë e më e shqetësuar nga sulmet ukrainase me dronë të cilat shënjestrojnë rafineritë e naftës, terminalet e depot anembanë Rusisë, duke dëmtuar kapacitetin e saj prodhues.

Pak ditë më parë, Ukraina i sulmoi rajonet ruse me 35 dronë, duke shkaktuar zjarr në një rafineri nafte, e vuri në shënjestër Moskën dhe shkaktoi pengesa në furnizim me energji elektrike në disa zona kufitare. Rusia mbetet një prej eksportuesve kryesorë të naftës në botë, pavarësisht sanksioneve të ashpra të vendosura nga perëndimi për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Godet me grusht punonjësin e OSHEE-së, arrestohet 21-vjeçari 

Policia në Tiranë ka arrestuar një 21-vjeçar, pasi ka qëlluar me grusht një punonjës të OSHEE-së.

Efektivët ne kryeqytet shprehen se goditja me grusht e punonjësit të OSHEE-së ka ndodhur për shkak të detyrës.U arrestua A. Gj., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën “Jordan Misja”, ka goditur me grusht një punonjës të OSHEE-së, për shkak të detyrës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mediat Britanike:Prishja e pazareve të drogës në Angli përgjak rrugët në Shqipëri Ja pse kartelet nga vendi ballkanik janë kaq të pamëshirshëm

Përplasja mes bandave shqiptare ka qenë në qendër të një artikulli të medias britanike The Sun.

Në një intervistë me një prokuror shqiptar, media britanike konkludon se ato që nisin në Britani si konflikte për pazare droge dhe si përpjekje për të kontrolluar tregun e shitjes së lëndëve narkotike, përfundon në Shqipëri me vrasje dhe ekzekutime.

Kryeprokurori Kreshnik Ajazi e ka lidhur vazhdën e vrasjeve me hakmarrjen, një tipar i vendit tonë.

The Sun shkruan se fakti që prokurori ia ka kushtuar jetën luftës ndaj krimit, ka ardhur edhe me një kosto. Ai është gjithë kohës i ruajtur me truproja dhe 28 kamera sigurie janë vendosur në pjesën e jashtme të ndërtesës së zyrës së tij në qytetin e Elbasanit.

“Mosmarrëveshjet mes bandave krijohen në Angli, por hakmarrja ndodh në qytetin tonë. Kur u bëra kryeprokuror, qëllimi im ishte të sfidoja bandat. Kjo do të thotë se unë tani shoqërohem në çdo minutë të jetës sime nga një eskortë speciale nga policia e shtetit, e cila tregon se në çfarë lloj rreziku jam. Por ia ka vlejtur”, tha ai.

Ndërkohë autoritetet britanike dhe ato shqiptare punojnë ngushtë për të luftuar bandat dhe krimin e organizuar.

Agjencia Kombëtare e Krimit muajin e kaluar nënshkroi një marrëveshje me policinë shqiptare për të sfiduar kriminelët që kontrollojnë tregun e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar.

Rreth 1.700 anëtarë të bandave mendohet se janë të lirë në Britaninë e Madhe dhe ka më shumë shqiptarë në burgjet britanike se çdo kombësi tjetër e huaj, edhe pse Shqipëria ka një popullsi prej vetëm 2.8 milionë banorësh.

Përveç përpjekjes për të arrestuar drejtuesit e bandave, policia po i godet aty ku dhemb, në xhepat e tyre.

Një Lamborghini e regjistruar në Britani me një vlerë prej 200.000 £ u sekuestrua së fundi nga një kriminel i dyshuar, së bashku me një hotel që ai zotëronte. Automjeti tashmë do të përdoret nga forcat e policisë.

“Pavarësisht luftës që bëhet nga të dy shtetet për të luftuar krimin, problemi është se në Shqipëri hakmarrja është traditë, ndaj nuk mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë”, thotë Ajazi.

Bandat e krimit të organizuar janë të ngjashme me mafian, sa i përket mënyrës së strukturimit dhe fatit që gjithçka lidhet me familjen. Ndaj mosmarrëveshjet merren personale dhe kështu edhe zgjidhja e tyre.

Në vitin 2018, një dërgesë prej 50 kilogramësh kokainë, me një vlerë potenciale tregu prej dhjetëra miliona paund, u zhduk në Angli.
Banda që priste dorëzimin e saj dyshoi për korrierin, kështu që e rrahën dhe e hodhën në një vend të largët, duke llogaritur se kushdo që ai kishte lajmëruar për të vjedhur drogën do t’i vinte në ndihmë.

Ata ruanin për të parë se kush do ta merrte – dhe pasi e mësuan se cila familje qëndronte pas vjedhjes, filluan vrasjet.
Menjëherë pas kësaj, Endrit Alibej, 34 vjeç, po largohej me makinë nga një darkë familjare në Elbasan me dajën e tij Arben Dylgjeri, 56 vjeç dhe një bashkëpunëtor turk.

Ndërsa ata ngadalësuan tenjë rrethrrotullim, një person i armatosur me një AK-47 goditi automjetin dhe duke vrarë të tre personat që ndodheshin në të.
Familja e Alibej nuk humbi kohë për t’u hakmarrë dhe vrasjet vazhduan për dy vite, duke marrë gjithsej tetë jetë.

Z. Ajazi tha se sulmet e ndërsjellta në lidhje me atë mosmarrëveshje të veçantë kanë përfunduar – tani për tani.

Një rast tjetër është ai kur në vitin 2013, tregtari shqiptar i drogës Arben Lleshi, 27 vjeç, u burgos me burgim të përjetshëm në Winchester Crown Court për vrasjen e një rivali në Southampton dhe djegien e trupit të tij.

Ai u ekstradua për të vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit.
Në fund të vitit të kaluar, banda e viktimës së tij filloi të planifikonte hakmarrjen.

Ata shpenzuan rreth një milion euro për t’i dhënë ryshfet zyrtarëve të burgut për të futur armë në burg dhe për të paguar një vrasës me pagesë.

Arma iu dorëzua vrasësit në mes të nëntorit dhe ai e mbajti të fshehur për tre javë para se të shkonte në qelinë e Lleshit dhjetë ditë para Krishtlindjeve.

“Ai e ftoi atë njeri për të folur. Ai tha: ‘A mund të bëjmë një bisedë?’. Dhe në këtë moment, ai nxori armën dhe e qëlloi dhe e vrau”, sqaron prokurori.

E gjithë struktura komanduese e burgut është arrestuar, 12 oficerë gjithsej, me dyshimin për marrje ryshfeti.

Lihet në burg kryebashlkiaku i arrestuar i Himares

Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Jorgo Goron.

Mesohet se togat e zeza kanë ndryshuar masën e sigurisë për ish-drejtorin e Kadastrës, Bilbil Aliajn.

Aliaj është lënë në detyrim paraqitje.

Ndërsa për Vezir Gjikokën u la në fuqi masa e arrestit në shtëpi.

Fier/Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë

DVP Fier/Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim dhe procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas të tjerë, për vepra penale të ndryshme.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim A. Z., 33 vjeç, banues në fshatin Lapulec, pasi Gjykata e Fierit i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen L. K., 51 vjeçe, banuese në fshatin Fiershegan, pasi dyshohet se për motive pronësie, ka kanosur një 63-vjeçar.

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. J., 36 vjeç, banues në fshatin Ninësht, pasi dyshohet se ka thyer xhamat e shkollës 9-vjeçare të fshatit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.