Vranë dhe varrosën babanë e tyre, Apeli lë në fuqi masat për 3 fëmijët e Pëllumb Metës

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së Durrësit për masat e arrestit me burg për tre fëmijët e Pëllumb Metës, Hygerta, Hysen dhe Amarildo Meta.

Ata akuzohen se kanë bashkëpunuar në vrasjen dhe fshehjen e trupit të babait të tyre dhe më pas groposjen e tij.

NJOFTIMI I GJYKATES
Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Nga aktet e ndodhura në dosje rezulton se, më datë 13.02.2024, rreth orës 22:30, shtetasi me iniciale H.M, banues në fshatin Shën Vlash, Durrës, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Durrës dhe ka bërë kallëzim se babai i tij shtetasi me iniciale P.M banues në Shën Vlash, Durrës, është larguar nga banesa me datë 10.02.2024 dhe nuk është kthyer më.

Në vijim të veprimeve hetimore, u gjet trupi i pajetë i shtetasit P. M, të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale janë fëmijët e tij.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestimit dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale H. M, H. M dhe A. M, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe ”Fshehja ose asgjesimi i kufomës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 79/c, 278/4, 303 e 25 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin nr. 127/1 Regj.Them, datë 26.02.2024, ka vendosur:

1.Të vlerësojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetasit H. M, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Fshehja ose asgjësimi i kufomës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 79/c, 278/4, dhe 303 e 25 i K.Penal.
2.Të caktojë ndaj shtetasit H. M masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.

3. Të vlerësojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetases H. M, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”; “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim te parashikuara nga nenet 79/c, 303 e 25 i K.Penal.

4.Të caktojë ndaj shtetases H. M masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.

5.Të vlerësojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë të shtetases A. M, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”; “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, e kryer në bashkëpunim te parashikuara nga nenet 79/c, 303 e 25 i K.Penal.

6.Të caktojë ndaj shtetases A. M masën e sigurimit personal “Arrest me burg”, parashikuar në nenin 238 të Kodit të Procedurës Penale.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve të bëra, nga personat nën hetim me iniciale H. M dhe A. M, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit caktimin e një mase sigurimi personal atë të “detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 02.04.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare Znj. Alma Kolgjoka, vendosi:

-Miratimin e vendimit nr. 127/1 Regj., datë 26.02.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

Aksidenti me 8 viktima në Vjosë, merr vemendje edhe në mediat e huaja

Aksidenti me tetë viktima në Shqipëri ka gjetur jehonë edhe në mediat e rëndësishme ndërkombëtare. Gazeta e njohur amerikane ‘Washington Post’ shkruan se viktimat ishin emigrantë.Ndërkohë gazeta thekson se Shqipëria pritet po ashtu të marrë mijëra refugjatë pas një marrëveshje me Italinë.

Një makinë u përplas në një lumë në Shqipërinë juglindore, duke vrarë të tetë personat në bord, duke përfshirë shtatë emigrantë të dyshuar dhe një shofer vendas, tha policia shqiptare të martën.

Drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe është kthyer në lumin Vjosa rreth 240 kilometra (150 milje) në juglindje të kryeqytetit, Tiranës, rreth orës 4 të mëngjesit të së martës, sipas një njoftimi të policisë. Shtatë nga viktimat dyshohej se ishin “nga vendet e treta”, tha policia, duke përdorur një përshkrim që përdoret shpesh për t’iu referuar emigrantëve.

Shqipëria nuk është një rrugë kryesore për emigrantët, por grupe të vogla nga vendet arabe apo Azia e përdorin atë për të arritur në Itali nga deti ose në vende të tjera fqinje nga toka.

Në vitin 2019, Shqipëria u bë vendi i parë jo-anëtar i BE-së që lejoi oficerët e agjencisë kufitare të bllokut Frontex për të menaxhuar kufijtë e saj në jug dhe lindje, ku kalojnë zakonisht emigrantët.

Parlamenti i Shqipërisë miratoi në shkurt një marrëveshje që vendi të mbajë mijëra azilkërkues për Italinë,” shkruan gazeta.

Si ndodhi aksidenti, ‘Benz’-i në ndjekje nga policia

Zbardhen detaje të reja nga aksidenti tragjik në Këlcyrë, ku 8 persona humbën jetën. 

Gazetarja Brikena Metaj raporton për BalkanWeb se mjeti tip ‘Benz’ që drejtohej nga një person nga Shkodra, ishte në ndjekje nga policia kur humbi kontrollin në një kthesë dhe përfundoi në lumin e Vjosës. 

Mësohet se mjeti me 7 emigrantë të paligjshëm nga vendet e botës së tretë, ishte identifikuar nga patrulla ndërsa ikte në drejtim të Këlcyrës dhe u kthye nga rruga. Viktimat mësohet se ishin të gjithë meshkuj, ndërsa mjeti ishte marrë me qira.

Aksidenti me 8 viktima, mjeti humbi kontrollin pranë kthesës dhe përfundoi në Vjosë, dyshohet se shoferi s’e njihte mirë rrugën

Një aksident i rëndë me 8 viktima ndodhi mëngjesin e sotëm në Këlcyrë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet në afërsi të fshatit Kuqar.

Gazetarja Brikena Metaj raporton se shkak i aksidentit mendohet se ka qenë shpejtësia e tepër dhe fakti që shoferi, i cili humbi edhe vetë jetën në aksident, ishte nga Shkodra dhe nuk e njihte rrugën.

Në atë zonë rruga është e ngushtë dhe një kthesë e fortë kërkon një vëmendje të shtuar.

Ajo shton se ka aludime se mjeti mund të ketë qenë në ndjekje nga policia, por kjo nuk është e konfirmuar.

NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 04:00, në aksin rrugor Këlcyrë- Përmet, në afërsi të fshatit Kuqar, dyshohet se si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga drejtuesi, automjeti tip Benz ka dalë nga rruga dhe ka rënë në anë të lumit Vjosë.

Si pasojë e daljes nga rruga kanë humbur jetën 8 shtetas.( 7 shtetas dyshohet se janë nga vendet e treta dhe drejtuesi i automjetit nga Shkodra)

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor i cili nën drejtimin e Prokurorit punon për sqarimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit. Gjithashtu në vendngjarje ndodhen Drejtori Vendor i Policisë, Drejtori i Departamentit për Kufirin, Drejtori i Policisë Rrugore dhe Drejtori i Rendit Publik. Po në vendngjarje ndodhen dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë. Në përfundim të veprimeve të para do ketë njoftim më të detajuar.

20-vjeçarja shqiptare përplaset për vdekje në Greqi

Një 20-vjeçare shqiptare ka humbur jetën nga një aksidenti rrugor të ndodhur mëngjesin e sotëm në Patridha të Verias në Greqi.

Ngjarja ka ndodhur në orën 9.40 të mëngjesit, në km 6 të rrjetit rrugor që lidh Verian me Skydrën.

Dy viktimat, një 68-vjeçare dhe 20-vjeçarja shqiptare e identifikuar si Elisa Doka nga Njësia Administrative Tërbuf e Divjakës, sipas dëshmive, kanë qenë duke pritur në stacionin e autobusit, kur në rrethana që po hetohen, i ka përplasur një makinë e drejtuar nga një 64-vjeçar, i cili humbi kontrollin e mjetit, duke e bërë atë të dalë nga rruga.Sipas Policisë, dy femrat janë dërguar në spitalin e Verias, ku është konstatuar vdekjen. Drejtuesi i mjetit ndërkohë është arrestuar

Dyshohet për 7 vjedhje në Greqi, arrestohet 30 vjeçari shqiptar

Policia greke ka identifikuar autorët e 7 vjedhjeve në zonën e Thesprotisë dhe ka arritur të vërë në pranga një prej tyre. Policia fillimisht ma tentuar të ndalojë dy persona në aksin Perdhika – Parga, të cilët dyshoheshin se kishin vjedhur një orë dore në një banesë në Perdhika. Pas ndjekjes është arritur të kapet një prej të dyshuarve, i identifikuar si Adenis Binjaku, 30 vjeç, ndërkohë që shtetasi tjetër, i identifikuar më pas si Arben Qosja, 49 vjeç, arriti të largohej duke shfrytëzuar errësirën dhe zonën e pyllëzuar.

Hetimet e mëtejshme të policisë zbuluan se ata janë autorë të vjedhjeve të 7 banesave në Syvota dhe Perdhika të Thesprotisë në përiudhën 27-31 mars. Nga këto banesa të dyshuarit kanë arritur të marrin 2255 euro, 3 ora me vlerë 900 euro, 3 celularë me vlerë 1900 euro, bizhuteri me vlerë 70 euro dhe rroba.

Gjatë kontrollit personal të Adenis Bibjakut, i cili rezulton se ndodhej në Greqi pa dokumentacionin e nevojshëm, janë gjetur 480 euro, 3 prozhektorë, çift dorezash, orë dore, celular, bizhuteri, ushqime dhe rroba.

Greva e paralajmëruar nga dogana greke, ndryshon sërish orari i lëvizjes.

Pala greke i ka bërë me dije asaj shqiptare se gjatë 48 orëve të grevës së datave 2-4 Prill, do të ketë një ndryshim lidhur me lëvizjen e mjeteve të vogla të cilët do të lëvizin një orë gjatë 4 orëve, pra një orë për mjetet e vogla do të ketë hyrje – dalje normale ndërkohë që 3 orë të tjera trau ulet në të dyja anët e kufirit.

Kushtet e tjera të paralajmëruara mbeten të njëjta, që do të thotë se nga data 2-4 Prill nuk do të lejon hyrje daljet e automjeteve të tonazheve të rënda, të autobusëve dhe shërbimit taksi.

Policia greke ka bërë me dije se oraret e punës janë (me orën greke)

 02/04/2024

-06:00-07:00

-10:00-11:00

-14:00-15:00

-18:00-19:00

-22:00-23:00

 03/04/2024

-02:00-03:00

-06:00-07:00

– 10:00-11:00

– 14:00-15:00

-18:00-19:00

Nuk dihet nëse një njoftim të tillë ka pasur edhe për pikat e tjera kufitare që e lidhin Shqipërinë me Greqinë.

Fier -Dogji 100 rrenje ullinje nga shkëndija nga e motorsharres, arrestohet 47 vjecari

Policia ka arrestuar një 47-vjeçar i cili dyshohet se është personi i cili ka shkaktuar zjarrin e djeshëm në Peshtan të Fierit.

Blutë njoftojnë se 47-vjeçari dyshohet se gjatë kohës që ka qenë duke punuar me motosharrë elektrike, është krijuar një shkëndijë dhe për pasojë ka rënë zjarr në tokë.

Nga përhapja e flakëve për shkak të erës, janë djegur rreth 100 rrënjë ullinj.

Njoftimi:

Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një zjarr të rënë në fshatin Peshtanbregas, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë arrestuar shtetasin J. M., 47 vjeç, pasi dyshohet se gjatë kohës që ka qenë duke punuar me motosharrë elektrike, është krijuar një shkëndijë dhe për pasojë ka rënë zjarr në tokë. Nga përhapja e flakëve për shkak të erës, janë djegur rreth 100 rrënjë ullinj, në pronësi të këtij shtetasi dhe të banorëve të tjerë të zonës, si dhe rreth 5 hektarë tokë me shkurre dhe bimësi të ndryshme.