Me 110 vota për, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Ligjin për amnistinë penale, nga i cili pritet të përfitojnë afër 1.100 të dënuar, 700 nga të cilët do të lirohen menjëherë.Vetem ne institucionin e vuajtjes se denimit ne Fier perfitojne nga amnistia mbi 100 te denuar
Miratimi i amnistisë u bë i mundur pas marrëveshjes që u arrit pak ditë më parë mes shumicës parlamentare dhe një pjese të opozitës, marrëveshje që i dha fund bllokimit dhe tensioneve në seancat plenare.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar rishtypjen e kartëmonedhave shqiptare me kurs ligjor, me prerje 200 lekë dhe 500 lekë. Sipas “Bankës së Shqipërisë”, ky vendim parashikon plotësimin e kërkesave të ekonomisë për para’, në vlerë dhe strukturë, si dhe sigurimin e një furnizimi të rregullt me to, për një periudhë disavjeçare.
Siç dihet emetimi i kartëmonedhave sjell përfitime të mëdha për individët dhe organizatat financiare, duke përmirësuar sigurinë, lehtësimin e transaksioneve dhe lehtësimin e menaxhimit të financave personale.
Hedhja në qarkullim e dy prerjeve të fundit të serisë së re në vitin 2022, ndihmoi në prezantimin e plotë të saj në ekonomi. Emetimi i një serie të re kartëmonedhash dhe shtimi i saj me kartëmonedhën me prerje 10,000 lekë, kanë rezultuar të suksesshme në plotësimin e kërkesave të ekonomisë shqiptare në vlerë edhe në strukturë.
Sipas raportit vjetor të Bankës, gjatë vitit 2023 vlera e monedhave kombëtare në qarkullim arriti në 408 miliardë lekë ose 6.8 miliardë lekë më shumë se një vit më parë. Vihet re një rritje eksponenciale, pasi krahasuar me fundin e vitit 2022 konstatojmë një ulje me 3% të numrit të kartëmonedhave në qarkullim. Kjo rënie dhe rritja e vlerës së tyre në qarkullim ka ardhur për shkak të përmirësimit të strukturës në qarkullim, që lidhet me rritjen e numrit të kartëmonedhave të prerjeve të mëdha, kryesisht 10.000 dhe 5,000 lekë.
Nga ana tjetër, gjatë vitit 2023, u përpunuan rreth 104.5 milionë copë kartëmonedha kundrejt 100.8 milionë copësh në vitin 2022. Ato u kontrolluan njëkohësisht për autenticitet dhe përshtatshmëri për riqarkullim.
Nxjerrja dhe qarkullimi i monedhës kombëtare “lek” është detyrë ekskluzive e Bankës së Shqipërisë. Ajo përcakton format, peshat, masat, modelin dhe karakteristikat e tjera të kartëmonedhave dhe monedhave metalike shqiptare, me kurs ligjor brenda vendit
Bankat luajnë një rol kritik në zhvillimin dhe funksionimin e ekonomisë së një vendi. Roli kryesor i tyre të mbledhin depozita dhe të ofrojnë kredi. Ky funksion siguron likuiditetin në ekonominë vendase dhe inkurajon investimet. Por si është struktura e pronësisë së sistemit bankar në Shqipëri? Sipas të dhënave të publikuara nga ‘Banka e Shqipërisë’ sektori bankar vazhdon të mbizotërohet nga filialet e grupeve të huaja bankare, me origjinë të kapitalit kryesisht nga BE-ja. Ndërkohë që numërohen 11 banka që operojnë në vendin tonë, numër ky i pandryshuar nga viti i kaluar.
‘Scan Intel’ ka analizuar të dhënat e institucionit të Bankës së Shqipërisë për të kuptuar si ka ndryshuar përbërja e kapitalit të bankave ndër vite. Që nga viti 2015 në vendin tonë kapitali privat i bankave kryesisht vjen nga vendet e BE-së dhe Turqia. Konkretisht ashtu si edhe në vitin e kaluar gjithsej në Shqipëri operojnë 6 banka, kapitali i të cilave është më shumë i huaj, ndër to 5 nga bankat kanë kapital nga vendet e BE-së dhe vetëm 1 prej tyre e ka shumicën e kapitalit nga Turqia.
Gjithashtu, të dhënat tregojnë se deri në vitin 2021 në vendin tonë kanë qenë prezente dhe kanë ofruar shërbime edhe banka të cilat e kanë patur shumicën e kapitalit të tyre nga Arabia Saudite. Nga ana tjetër, krahas bankave me shumicë të kapitalit privat kemi edhe banka që kapitalin e tyre e kanë më shumë vendas, numri i këtyre të fundit është rritur nga viti në vit. Në vitin 2015 operonin vetëm 3 banka me kapital vendas, në vitin 2019 operonin 4 banka dhe në vitin 2023 operonin gjithsej 5 banka.
Në fund të analizës konkludojmë se prania e një numri më të lartë të bankve që udhëhiqen nga kapitali i huaj krahasuar me bankat me kapital vendas tregon se investimet e huaja në sektorin bankar të Shqipërisë reflektojnë besimin e investitorëve të huaj në potencialin e rritjes dhe zhvillimit të ekonomisë së vendit.
Një nga kanalet kryesore për pastrimin e parave të organizatave kriminale në vendin tonë janë shoqëritë tregtare, vuri në dukje Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në raportin vjetor për vitin 2023.
SPAK referon se vihet re se ka një rritje të përdorimit të shoqërive tregtare, të cilat shërbejnë për të marrë dhe për të transferuar paratë e fituara nëpërmjet veprimtarive kriminale, duke i shpërndarë ato nëpërmjet investimeve dhe transaksioneve tregtare të rregullta.
Rasti më tipik është ai i një individi, i cili pastronte para për llogari të Cosa Nostra në Itali. Skema e pastrimit të parave konsistonte në kalimin e parave nga fondacioni i themeluar prej tij me qendër në Lihtenshtajn, por me llogari bankare të çelur në Zvicër. Paratë fillimisht u transferuan nga llogaria e fondacionit në llogarinë e tij personale, po në të njëjtën bankë në Zvicër.
Prej aty, me lidhjet e krijuara me një shoqëri tregtare në Shqipëri, e cila luante rolin e “ndërmjetësuesit” profesionist, paratë do të vinin fillimisht në llogarinë e tij personale të çelur në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.
Më pas këto para do t’i kalonin shoqërisë tregtare shqiptare, që merrej me tregtinë e karburanteve në formë huaje dhe kjo kompani do t’i transferonte në Hong Kong te një shoqëri tjetër tregtare, që do të shërbente si “garantuese” për kryerjen e transanksioneve fiktive për blerje karburantesh. Për këtë shërbim, shoqëria tregtare shqiptare do të përfitonte 16% (afërsisht 3 milionë euro) të vlerës së parave që do të pastroheshin, sqaron SPAK.
Një nga skemat më komplekse të pastrimit të parave është ajo e përdorimit të institucioneve shqiptare bankare, si vend tranziti dhe përdorimi i subjekteve tregtare shqiptare, si “ndërmjetëse” të pastrimit të parave nga organizatat kriminale ndërkombëtare, siç është rasti i mafies Italiane, evidenton SPAK.
Përfaqësuesit e bizneseve të ligjshme shqiptare, në rolin e “ndërmjetësve” profesionistë, kanë ndihmuar në krijimin e aksesit në sistemin bankar shqiptar, i cili do të përdorej për të kryer “shtresëzimin” e transfertave bankare për të kaluar ato më pas në vende të tjera.
Gjithashtu investimet në prona të luajtshme (mjete motorike, veshje luksi, ora të markave të shtrenjta, bizhuteri, pajisje kompjuterike etj.) dhe pasuri të paluajtshme mbeten ende ndër format më të preferuara të pastrimit të parave, kryesisht në apartamente, ndërtesa, truall, pemishte, njësi shërbimi etj., qoftë në qytetin e Tiranës, por dhe në zonat turistike bregdetare (Vlorë, Durrës dhe Lezhë).
Vihet re dhe një numër i konsiderueshëm i depozitimit të parave, të cilat dyshohen se janë produkte të veprave penale në llogari të ndryshme bankare, që kryesisht janë në emra shoqërish tregtare ose personave fizikë, të afërm të të dyshuarve.
Godina ‘Bar Lulishte Butrinti’ në qendër të qytetit të Sarandës, një godinë historike, e cila dikur ka qenë dhe konsullatë italiane u përfshi nga flakët paraditen e sotme.Ndërkohë nga flakët është dëmtuar dhe një pishë e vjetër. Zjarrfikësit po përpiqen të shpëtojnë nga flakët një pemë që quhet pema e Piperit të Naimit, një pemë që është gati 150 vjeçare përbri bar lulishtes. Pema është mbjellë nga duart e shkrimtarit rilindas Naim Frashëri rreth viteve 1874-76.
Aktualisht kjo godinë administrohet si pronë nga bashkia por pretendime për pronësinë e sja e ka dhe familja mbretërore.
Prej vitesh godina nuk është funksionale. Flakët kanë përfshirë dhe një godinë tjetër ku ishin disa biznese.
Policia europiane ka arrestuar 22 persona dhe ka sekuestruar pasuri me vlerë më shumë se 600 milionë euro në lidhje me mashtrimin e dyshuar të lidhur me fondin e rimëkëmbjes pas pandemisë së Bashkimit Europian.
Pas një hetimi nga prokurori i BE-së, tetë persona u ndaluan, 14 u vendosën në arrest shtëpiak dhe dy të tjerëve iu ndalua ushtrimi i profesionit.
Arrestimet u kryen në Itali, Austri, Rumani dhe Sllovaki.
Policia financiare italiane tha të enjten se kishte sekuestruar Lamborghini, Porshe, Rolex, bizhuteri Cartier, kriptovaluta, vila luksoze dhe sende të tjera gjatë dhjetëra bastisjeve në shtëpi dhe zyra.
Ky rast ngre shqetësimet rreth keqpërdorimit të fondit të rimëkëmbjes prej 800 miliardë eurosh të BE-së për të ndihmuar në ringjalljen e ekonomisë.Italia ishte përfituesi më i madh i fondit, me grante prej më shumë se 194 miliardë euro.
Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO) tha se një organizatë kriminale dyshohet se ka drejtuar një skemë mashtrimi midis 2021 dhe 2023 për të mashtruar paketat e rimëkëmbjes së Italisë.
Në vitin 2021, grupi aplikoi për të marrë grante, gjoja për të mbështetur kompanitë e vogla dhe të mesme, por më vonë përgatiti bilanc të rremë “për të treguar se kompanitë ishin aktive dhe fitimprurëse, ndërsa në fakt ato ishin kompani joaktive, fiktive.”
Pasi mori rreth 600 milionë euro në fonde nga Plani Kombëtar Italian i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës (NRRP), grupi më pas i transferoi fondet në llogaritë e tyre bankare në Austri, Rumani dhe Sllovaki.
Zyra e prokurorit pretendoi se grupi përdorte kriptomonedha, inteligjencë artificiale dhe serverë cloud për të kryer dhe fshehur mashtrimin. Shtetet e Bashkuara janë përpjekur gjithashtu të godasin mashtrimin e supozuar që përfshin burimet e ndihmës për Covid-19.
Ministri i Brendshëm, zoti Taulant Balla ka reaguar rreth fenomenit të korrupsionit aktiv të Punonjësve të Policisë Rrugore.
Balla u shpreh se lufta kundër këtij fenomeni po intensifikohet, qoftë ndaj shkelësve, qoftë ndaj atyre që kryejnë korrupsionin pasiv, punonjësve të policisë.
Ai u bëri lutje qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën.
Reagimi i ministrit Balla:
Janë ndaluar në flagrancë 36 drejtues mjeti “për korrupsion aktiv” të punonjësve të Policisë Rrugore e mbetur në tentativë. Të kapur në shkelje këta shtetas kanë tentuar t’i ofrojnë punonjësit të Policisë së Shtetit ryshfet. Lufta kundër këtij fenomeni të turpshëm po intensifikohet, qoftë ndaj shkelësve, qoftë ndaj atyre që kryejnë korrupsionin pasiv, punonjësve të policisë.
Ju lutem qytetarëve dhe mediave të denocojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit duhet të rrisin vigjilencën dhe godasin me ashpërsi çdo përfshirje në veprime korruptive të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Rreth orës 10:30, në aksin rrugor “Fier-Seman”, shtetasi K. Ç., 21 vjeç, duke drejtuar automjetin tip “BMW”, ka humbur kontrollin dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.
Si pasojë është dëmtuar drejtuesi i automjetit i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.