Bashkëshortja e Pëllumb Metës, 50-vjeçarit që u vra dhe u varros në kasollen pranë banesës nga fëmijët e tij në Shënvlash, Durrës ka folur për herë në lidhje me ngjarjen.
Në një intervistë për “Euronews Albania”, Blerina Meta është shprehur se bashkëshorti i saj ka qenë shumë agresiv dhe i dhunshëm me të dhe fëmijët e tyre.
Ajo është shprehur se nuk e ka ditur për planin e fëmijëve, dhe për bashkëshortin ka nisur të shqetësohet pas 3 ditësh, pasi ai punonte roje nate dhe jo çdo shkonte në shtëpi.
Çfarë ka ndodhur në familjen tuaj?
Brikena Meta: Në radhë të parë dua t’ju them që jam shumë e rënduar nga ana psikologjike. Sa i përket pyetjes tuaj, dua të them që ka ndodhur një gjë shumë e tmerrshme.
Është diçka që ka ardhur si pasojë e një dhunë të vazhdueshme, qoftë fizike, qoftë psikologjike. Ishte një njeri shumë agresiv. Kërcënime për jetën si mua dhe fëmijët e mi.
Keni qenë në dijeni të këtij plani?
Brikena Meta: Jo. Unë dijë vetëm që dhuna ishte e pranishme në familjen time.
Jeni shqetësuar për mungesën e bashkëshortit?
Brikena Meta: Unë atë ditë nuk isha i shqetësuar, sepse im shoq punonte roje nate dhe nuk është se vinte çdo natë në shtëpi.
Kur filluat të shqetësoheshit?
Brikena Meta: Ditën e tretë në mos gaboj.
“Nuk kam bërë asnjëherë denoncim se kisha frikë nga ai njëri. Na ka mbajtur gjithmonë të shtypur, nga frika nuk shkonin as fëmijët që ta denonconin. Mua më kërcënonte dhe nëse ndonjë nga fëmijët më dilte në krah u thoshte do ju vras dhe do ju djeg të gjithëve, shkonte direkt në dhunë. Me mua e kishte të përditshme. Nuk e di sa herë i kam larë muret e shtëpisë me gjakun e kokës time”, tregoi ajo.
Vajzat s’kanë guxuar të dalin njëherë në derë vetëm. As në dyqan, asgjëkundi, njësoj si unë të shtypura. S’bëhet fjalë të flisnin me komshinjtë, gjithmonë kur ecnin kokën përtokë. Shkonin vetëm në shkollë dhe në shtëpi. Tani me një njeri që të dhunon dhe të kërcënon për jetën, padyshim që do kishin frikë dhe fëmijët. Ai kishte armë, pasi punonte roje, frikën ia kishim që të gjithë ndaj arriti kjo punë deri këtu. Një njeri që është agresiv, i dhunshëm, autoritar dhe i armatosur, është normale që ia ke dhe frikën”, tha ajo.