Realizohet ne Spitalin Memorial ne FIER procedura urgjente e trombektomisë

Në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit u realizua me sukses për herë të parë në sistemin publik, procedura urgjente, e trombektomisë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Ndërhyrja u realizua falë bashkëpunimit të ekipit multidisiplinar përfshirë dr. Umit Gorgulu, dr. Klaudio Disha, dr. Kjanda Elpenoria, dr. Muhammet Karaca dhe të bashkëpunimit me dr. Mesut Karatas si dhe të teknikëve profesionistë, Tolga Kaya, Halil Ibrahim Ozkan.

“Kjo është një nga procedurat shpëtimtare, për të hequr mpiksjen e gjakut në arterien e trurit duke rivendosur rrjedhën e gjakut dhe minimizimin e dëmtimeve neurologjike.

Implementimi i autonomisë menaxheriale ka zgjeruar gamën e shërbimeve dhe po garanton ofrimin e një shërbimi cilësor, nga kapacitetet më të mira profesionale dhe teknologjia e avancuar mjekësore”, tha Koçiu.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, ofron shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e jugut.

Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.

Në maj 2021, në Spitalin Memorial të Fierit u krye me sukses ndërhyrja e parë kirurgjikale.

Qëlloi me armë në natën e ndërrimit të viteve, arrestohet shqiptari në Itali

Një shtetas shqiptar banues në Prillia të Italisë është arrestuar nga policia pasi në natën e ndërrimit të viteve ka qenë përgjegjës për disa të shtënave nga tarraca e një pallati. Veprim ky i filmuar dhe publikuar në rrjetet sociale ka mbërritur te agjentët e komisariatit të Cisternës, të cilët arritën të mbërrinin në gjurmët e tij.

Duke u konsultuar me burime të hapura, duke parë videon dhe duke krahasuar vendet që shfaqeshin në video me pamjet nga “Google Earth”, policia bastisi shtëpinë e shqiptarit. Brenda banesës u gjetën armë moderne dhe në plehra policia gjeti edhe gëzhoja, duke konfirmuar atë që doli nga shikimi i videove të publikuara nga vetë autori i dyshuar.

Disa nga armët, u gjetën brenda një gardërobë pa asnjë lloj mbylljeje që mund të parandalonte aksesin e kollajshëm.

Nis nga sot zbatimi i tarifës në autostradën Thumanë-Kashar. Sa do paguhet për çdo kalim

Qarkullimi në aksin rrugor Thumanë-Kashar do të bëhet me pagesë duke filluar nga e shtuna. Kompania koncesionare ka njoftuar se nga data 4 janar do të nisë zbatimi i tarifës së miratuar, e cila fillon nga 2.1 euro pa TVSH.Sipas njoftimit, kjo tarifë do të rishikohet çdo vit, duke u përshtatur me luhatjet e kursit të këmbimit.

Aksi Thumanë-Kashar, me një gjatësi prej 30 km, u përfundua në verën e vitit të kaluar. Deri tani, qarkullimi ka qenë falas, pasi kompania ka kryer testimet e nevojshme për të shmangur krijimin e radhëve.

Rruga ofron kushte e standarde të larta sigurie. Ky aks lehtëson ndjeshëm lëvizjen duke shmangur trafikun si dhe shkurtuar kohën e udhëtimit.

UNESCO: Shqipëria ka përkeqësim në arsim, nevojë urgjente për rritjen e financimit

Shqipëria është para një nevoje urgjente për të përmirësuar financimin për sektorin e arsimit dhe për një shpërndarje më të mirë të burimeve vuri në dukje UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) në një analizë të posaçme të Arsimit në Shqipëri që u publikua kohët e fundit.

Analiza gjeti dobësi në menaxhimin e sektorit dhe sidomos në lënien pas dore të financimeve të cilat kanë pësuar ulje në raport me PBB-në dhe shpenzimet totale buxhetore gjatë dekadës.

Sipas UNESCO shpenzimet për arsimin në vitin 2010 zinin 12% të buxhetit të Shqipërisë dhe 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa në 2021 shpenzimet publike për arsimin zinin vetëm 9.8% të buxhetit total dhe 3.1 % të PBB. Në tre vitet në vijim sipas të dhënave të brendshme këto raporte janë përkeqësuar me tej.

“Përmirësimi i burimeve për arsimin është kritik për të siguruar që Shqipëria të adresojë sfidat përpara dhe të sigurojë që të gjithë fëmijët të marrin arsim cilësor për të plotësuar kërkesën aktuale dhe të ardhshme të ekonomisë” thuhet në raport.

Të ardhurat e qeverisë përbënin 28% të PBB në buxhetin e 2022 dhe kanë qenë në një trend në rritje gjatë dekadës së fundit. Shpenzimet buxhetore ishin 32% e PBB-së në 2022.

Shpenzimet buxhetore kryesisht përqendrohen për mbrojtjen sociale dhe shpenzimet kapitale, këto të fundit zënë 22 % të totalit të buxhetit.

UNESCO analizon se shpenzimet e qeverisë për arsimin arritën në 59.1 miliardë lekë në vitin 2021 dhe ishin sa 3.1% të PBB-së, një nivel më i ulët se vendet e tjera të Ballkanit.

Raporti vë në dukje se krahasuar me profesionet e tjera, pagat e mësuesve janë të ngjashme me ato të personelit mbështetës të teknikëve dhe janë dukshëm më të ulëta se pagat e profesionistëve dhe më të ulëta se në vendet fqinjë.

Si rrjedhojë e uljes së numrit të nxënësve është rritur kosto për nxënës dhe nuk ka një shpërndarje të mirë të burimeve.

Kostoja e drejtimit të një klase nis nga 1.3 milionë lekë në vit për klasat në parashkollor deri në 3.1 milionë lekë për arsimin e mesëm.

Në nivelet e arsimit bazë, rënia në numrit e nxënësve nuk është kompensuar nga ulja ekuivalente në burimeve vë në dukje UNESCO.

Raporti verën se me procesin e decentralizimit të iniciuar në vitin 2015, menaxhimi i rrjetit të shkollave është i ndarë ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Sportit (MASH), e cila është kryesisht përgjegjëse për mësuesit dhe mbikëqyrjen e shkollës dhe qeverive vendore, të cilat mbikëqyrin infrastrukturës dhe anën operacionale të përditshme të shkollave.

Mirëpo ndarja e përgjegjësive nuk ka funksionuar duke e ndikuar më tej negativisht sektorin arsimor në vend./ Monitor 

Dy shqiptarët që u arratisën nga burgu grek bashkautorë në krime të rënda

Dy 41-vjeçarët shqiptarë të arratisur mbrëmjen e djeshme nga burgu i Kassavetias në Greqi, rezultojnë bashkautorë të veprave penale për të cilat akuzohen.

Romeo Qosja nga Cërriku dhe Lefter Toçi nga Bradasheshi i Elbasanit janë akuzuar më 31 mars 2016 për “vrasje me paramendim” dhe “grabitje në bashkëpunim dhe në seri”. Për këto akuza ata janë paraburgosur. Në 21 prill 2016, ndaj Qosjas dhe Toçit ngrihet edhe akuza “pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “grabitje”, raporton korrespondneti i Top Channel Artur Bibe.

Pas kalimit të afatit 18 mujor të paraburgimit, në shtator 2017 Qosja dhe Toçi janë liruar me masë sigurie “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”. Ata rezultojnë se nuk e kanë zbatuar masën e sigurimit, madje në 27 korrik 2018, Lefter Toçi është arrestuar nga policia kufitare për “shkelje të masës së sigurimit” dhe “kundërshtim i forcave të policisë”, por u la sërish i lirë. Veç kësaj, Romeo Qosja rezulton i akuzuar në 13 maj 2008 edhe për “krijim organizate kriminale”, “grabitje në vazhdimësi” dhe “shkelje të ligjit mbi armët”.

Pas lirimit me kusht nga burgu dhe madje disa ditë pas lirimit të dytë të Toçit, dyshja rezulton të ketë kryer edhe një tjetër grabitje me armë. Në 13 gusht 2018, rreth orës 04.00, Romeo Qosja në bashkëpunim me Lefter Toçin dhe shtetasin A. G, kanë hyrë në vilën luksoze të një çifti grek, duke qenë të maskuar dhe të armatosur me 2 pistoleta dhe 1 revolver. Çifti banonte me 4 fëmijët e tyre, njëri prej të cilëve mungonte atë ditë. Ata kanë shkuar në dhomën e gjumit të çiftit dhe kanë tërhequr me dhunë nga krevati fillimisht shtetasin F. P. Njëri prej autorëve e ka goditur lehtë atë me qytën e armës. Pas kësaj kanë tërhequr nga flokët bashkëshorten e tij duke e hedhur në tokë dhe i kanë drejtuar armën duke i thënë: “Armët janë të vërteta”. Ata kanë goditur lehtë me armë në brinjë dhe kokë dy prej fëmijëve të mitur. Më pas i kanë drejtuar armën fëmijës 11-vjecar, të cilin e kanë detyruar të ndiqte nënën e tij në dhomën e gjumit, ku ishin mbledhur dhe pjesëtarët e tjerë të familjes dhe i kanë kërcënuar të gjithë me armë duke ju thënë: “Do ju therim”. Nën kërcënim kanë detyruar shtetasen B. B, t’ju dorëzojë një kuti kartoni nga dhoma e fëmijës 11-vjecar, në të cilën ndodheshin kursime mbi 45.000 euro, të cilat vini nga aktiviteti tregtar i F. P, me objekt përpunimin dhe ruajtjen e mishit dhe të brendshmeve.

Më pas nga dhoma e F. P u morën 3 orë dore të markës “Rolex”, një ari, një argjendi dhe një platini me vlerë totale rreth 15.000 euro. Nga dhoma e gjumit e një prej fëmijëve, u morën 300 euro dhe tre orë dore të markave “Gant”, “Armani” dhe një markë e panjohur, me vlerë të papërcaktuar si dhe një cantë shpine e markës “Canonbp 100” me vlerë 55 euro. Pas kësaj tre autorët mbyllën familjen në dhomën e gjumit dhe telefonuan një bashkëpunëtorin e tyre, duke i thënë “ngarkuam shumë, eja të ikim”. Gjatë ikjes morën çelësat dhe lejen e qarkullimit të një automjeti tip “Mercedes-Benz” në pronësi të kompanisë së F. P dhe u larguan me atë rreth orës 04.16. Pasi udhëtuan me të, e braktisën mjetin duke i marrë çelësin dhe u larguan me një mjet tjetër. Familja arriti të hapë portën me një çelës të dytë duke arritur të njoftojë më pas policinë.

Përmes një kaçavidë të harruar nga autorët në parvazin e dritares së banjës së vilës, policia arriti të identifikojë njërin prej autorëve. Tek kaçavida u zbulua gjurmë ADN të Lefter Toçit. Ndaj Toçit u lëshua urdhër arresti europian, i cili u ekzekutua në 4 prill 2019 duke e çuar pas hekurave. Në kohë të ndryshme u arrestuan edhe Romeo Qosja e A. G. Toçi dhe Qosja e pranuan akuzën por kërkuan të përjashtonin nga përgjegjësia A. G, duke thënë se nuk ndodhej me ta në ngjarje.

Toçi tha se kishte informacion të sigurt nga shqiptari S. L, i cili kishte lidhje me familjen e grabitur. Madje ai tha se në vilë kishin hyrë me çelësa por kaçavidën e kishin lënë tek dritarja për të menduar policia se kishin hyrë andej. Ai tha se me Romeo Qosjan ishin dënuar së bashku më parë. Madje u zbulua se A. G ishte shok fëmijërie me Qosjan, me prejardhje nga i njëjti fshat në Shqipëri.

Edhe pse Qosja dhe Toçi u përpoqën të shfajësonin A. G, dëshmia e F. P dhe bashkëshortes së tij gjatë seancën gjyqësore të 2 tetorit 2020, e vulosi fajësinë e tij. F. P e akuzoi A. G si autorin e goditjes së tij me shkelm. Madje ai tha në një seancë tjetër tha se nga maska autorit i dukeshin sytë, llojit trupit i përket atij si dhe mbante mend qafën dhe zërin e tij.

Edhe bashkëshortja e biznesmenit tha se e dalloi A. G si personin që erdhi pas saj, i vendosi armën djalit të saj të mitur dhe e çoi në dhomën ku ndodheshin fëmijët e tjerë. Ajo tha se kishte dalluar sytë dhe buzët e autorëve dhe se njohu zërin e A. G.

Sipas çiftit por edhe fëmijëve, autorët kishin veshur maska të përbëra nga çorape të hollë ku kishte çarje që bënin të dukshme sytë, buzët, veshët dhe qafën. Madje ata kanë dalluar dhe një tatuazh me gërma kineze në parakrahun e dorës së djathtë të Romeo Qosjas, të cilin ai e ka realisht.

Romeo Qosja dhe Lefter Toçi ndodheshin në burgun e Kassavetias prej vitit 2019 dhe mbaheshin në një zonë të parrethuar për shkak të sjelljes së mirë.

Ata rezultojnë të kenë marrë 5 leje gjatë vitit 2024. Mesa duket kanë përfituar nga kthimi i tyre nga leja disa ditë më parë, për të planifikuar arratisjen. Për shkak të rrezikshmërisë së tyre, policia greke ka nisur kontrollet intensive në gjithë Greqinë.

Top Channel

GJKKO RRËZON SPAK-un/ Apeli refuzon kthimin e arrestit në shtëpi të Berishës

Seanca e Sali Berishës ka zgjatur 1 orë e 20 minuta në Gjykatën e Apelit të Posacëm, ku Prokuroria e Posacme kishte ankimuar vendimin e gjyqtares së seancës paraprake Flojera Davidhi, që revokoi masën e arrestit të shtëpisë duke e lënë të lirë.

SPAK duket se nuk ka qenë dakord me këtë vendim, duke e dërguar në Apel.Nga GJKKO është vendosur që Berisha të paraqitet dy herë në muaj si një masë kufizuese.

Argumentet e SPAK kanë qenë se çështja ende nuk ka kaluar në gjykim pavarësisht se janë mbyllur hetimet pasi do të jetë gjyqtarja e Gjykatës së Posacme ajo që do të rishikojë dhe njëherë në qoftë se çështja është e plotë do të kalojë apo jo në gjykim, apo çështja mund ti kthehet sërish SPAK-ut për hetim apo mund të pushohet.

VENDIMI:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 03.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 276 akti, datë 26.12.2024 regjistrimi, dhe vendosi:

1.      Ndryshimin e vendimit nr. 674, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në këtë mënyrë:

–          Rrëzimin e kërkesës së të pandehurit S.B. për shuarjen e masës së sigurimitme karakter shtrëngues “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, e caktuar ndaj tij me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar;

–          Zëvendësimin e masës së sigurimit “Arresti në shtëpi”, e caktuar ndaj të pandehurit S.B. me vendimin nr. 520, datë 30.12.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e miratuar me vendimin nr. 15 (87-2024-23), datë 25.01.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale.

–          Urdhërohet i pandehuri S.B. të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore AdelajdaMetaj, pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të hënë e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 10:00.

2.      Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.

3.      Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij. 

Arratisen 2 shqiptarë nga burgu në Greqi, dënuar për vrasje e grabitje

Dy 41-vjeçarë shqiptarë janë arratisur nga Burgu i Kassavetias në Greqi.

Arratisja e tyre është evidentuar rreth orës 21.00 të mbrëmjes së djeshme nga gardianët e burgut.Bëhet fjalë për personazhe të dënuar me 20 vjet heqje lirie për vepra të rënda si vrasje, grabitje dhe shkatërrim prone me zjarr.

Ata ndodheshin në burgun e Kassavetias prej vitit 2019 dhe mbaheshin në një zonë të parrethuar për shkak të sjelljes së mirë. Ata rezultojnë të kenë marrë 5 leje gjatë vitit 2024. Mesa duket kanë përfituar nga kthimi i tyre nga leja disa ditë më parë, për të planifikuar arratisjen.

GREQI-I dënuar me burgim të përjetshëm, arrestohet 47 vjecari Jani Alia

Policia e Shtetit

Operacion i përbashkët ndërkombëtar për kapjen e të kërkuarve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Finalizohet operacioni i koduar “IN TIME” në bashkëpunim me Policinë Greke.

Në Athinë kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Jani Alia, 47 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas.

Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Por kush është Jani Alia? Më 2023, Apeli i GJKKO-së i sekuestroi atij pasurinë, e cila dyshohet se është vendosur në mënyrë ilegale.

Jani Alia me origjinë nga Tepelena akuzohet për vrasjen e bujshme më datë 1 maj 2016 në Tiranë, ku u vra Elton Çiço në një lokal në ish-Bllok.

Shkak për vrasjen e Çiços dyshohet se ka qenë hasmëria mes rivalëve, e nisur në Greqi, kur të dy ishin në burg. Alia kishte qenë në burg për vrasje, ndërsa Çiço për trafik droge. Policia dyshonte se shkak ka qenë fakti se Elton Çiço, gjatë një konflikti në burg në vendin fqinj, e kishte plagosur Jani Alinë.

Dyshohet se konflikti kishte vijuar edhe në Shqipëri, ku Alia ishte plagosur edhe në Gjirokastër. Edhe për këtë ngjarje i dyshuar kishte qenë Elton Çiço.