Gazeta britanike: Paratë e shtëpive të barit në Skoci po financojnë kullat që ngrihen në Tiranë

Grupet kriminale shqiptare pas Anglisë dhe Uellsit po e kanë shtrinë shumë shpejt biznesin kriminal të rritjes së kanabisit nëpër shtëpi apo magazina edhe në Skoci. Gazeta më e madhe skoceze Daily Record këtë të shtunë faqen e parë ia ka dedikuar këtij fenomeni kriminal me protagonistë shqiptarët.

‘Kompanive skoceze të shpërndarjes së energjisë elektrikë i është kërkuar të bashkëpunojnë me policinë në luftën me shtëpitë e barit, nga ku vidhet korrenti për të përdorur llampa të fuqishme për rritjen e kanabisit’ thuhet në artikull.

Sipas Daily Record në çdo qytet të Skocisë kemi një prezencë të grupeve kriminale shqiptare të përfshirë në ngritjen e fermave të kanabisit përmes të cilave janë duke fituar miliona stërlina. E pikërisht sipas kësaj gazete, këto para të fituara nga shtëpitë e barit në Skoci dhe vende të tjera, po financojnë kullat që ngrihen në Tiranë.

Në artikull theksohet se në të gjithë Skocinë përpara gjykatave kanë dalë me dhjetra shqiptarë të përfshirë në rritjen e kanabisit, vlera të cilit në këto raste të çuara në gjykatë shkon në qindra milion paund.

Këtë shkrim kjo gazetë e ilustron me disa shembuj të shqiptarëve të kapur e dënuar në Skoci si organizatorë të ngritjes së shtëpive të barit.

Njëri prej tyre Ilir Kasa i cili përshkruhet në artikull si një prej bosëve të këtij biznesi kriminal. Ai është dënuar me 8 vite burg pasi u filmua nga policia duke vizituar dy ferma kanabisi në Gllasgoë, ku policia gjeti 350 dhe 150 rrënjë kanabis gati për ti korrur prodhimin. Sipas përllogaritjes së policisë prodhimi bimëve të asgjësuara shkonte në 300.000 stërlina.

Arben Ketuka kishte marrë me qera një shtëpi ngjitur me atë ku banonte për ta kthyer në shtëpi bari. Atij iu kapën 200 bimë kanabis në dhomat e kësaj shtëpije prej të cilave mund të dilnin 15 kile kanabis me vlerë tregu 172 mijë stërlina. Ketuka pranoi akuzat për kultivim të drogës të klasit B dhe pritet ta marrë masën e dënimin javës tjetër.

Në qytetin Dundee shqiptarët Adiol Hila 37 vjeç dhe Indrit Saraci 27 vjeç kishin ndërtuar një fermë ku kishin mbjellë 3.000 rrënjë kanabisi.

Vlera e prodhimit të lëndës narkotike shkonte në 1.7 milion stërlina. Pasi pranuan akuzat në gjykatë Saraci u dënua me tre vite e 9 muaj burg ndërsa Hila 3 vite e katër muaj.

Sipas Daily Record ata kishin mbërritur ilegalisht në Angli me gomone për tu zhvendosur më pas në Skoci

SPAK zyrtarizon akuzat ndaj ish-kryeprokurorit të Vlorës dhe 3 të tjerëve

SPAK ka vendosur të copëtojë dosjen ‘Toyota Yaris’, ku janë të përfshirë prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, gjyqtarë të Gjykatës së Posaçme, politikanë të lartë që janë pjesë e PS-së dhe qeverisë Rama, zyrtarë të lartë të administratës, policisë e strukturave të tjera ligjzbatueses.

Në njoftimin e shpërndarë nga SPAK sot, thuhet se, kjo dosje është copëtuar sepse ekzistojnë të dhëna dhe fakte se janë kryer të tjera tjera vepra penale.

SPAK njoftoi se ka përfunduar hetimin ndaj prokurorit të Vlorës, Aurel Zarka dhe të pandehurve të tjerë, të cilët i ka çuar në gjyq.

Njoftimi SPAK

SPAK përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim 4 të pandehur për veprën penale korrupsion aktiv dhe pasiv i funksionarëve të Drejtësisë.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfundur hetimet paraprake për proçedimin penal nr.26, datë 07.02.2024, i rregjistruar për veprat penale: “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” dhe “Trafikimi i narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 245/1, 319, 319/ç, 295/a paragrafi (3) dhe 283/a të Kodit Penal.

Për këtë procedim penal, gjatë fazës së hetimeve paraprake, janë kryer të gjitha veprimet e mundshme dhe të nevojshme hetimore ku përfshihet; marrja e informacioneve nga agjenci të huaja të zbatimit të ligjit, marrja e provave nga autoritetet e drejtësisë së shteteve të tjera, kërkimi, zbulimi dhe administrimi i dokumentacionit të nevojshëm, marrja në pyetje e personave që mund të kenë pasur dijeni për rrethanat e hetimeve, si dhe është kryer analizimi me hollësi i të dhënave, i dokumentacionit të administruar, si dhe provave të mbledhura gjatë hetimeve.

Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal si edhe nga burimet e provave të mbledhura dhe të administruara gjatë hetimeve paraprake është provuar fakti se të pandehurit; Astrit Vladi, Radovan Çela, Eriona Daupaj dhe Aurel Zarka në bashkëpunim me njëri tjetrin, në disa raste, kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarë të drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarë të drejtësisë, kanë ofruar përfitime të parregullta për funksionarë të drejtësisë, si dhe kanë kërkuar përfitime të parregullta për të kryer veprime të lidhura me funksionin dhe detyrën e tyre, sipas episodeve dhe akuzave respektive, për secilin prej tyre.

Në kohën e kryerjes së veprimeve të kundraligjshme, i pandehuri Aurel Zarka ka qënë në funksionin e prokurorit në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e pandehura Eriona Daupaj ka qënë në funksionin e oficeres së policisë gjyqësore në ish Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda dhe më pas oficere e policisë gjyqësore në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa i pandehuri Radovan Çela ka qënë në cilësinë e mbrojtësit të shtetasve Alfred Vladi etj.

Konkretisht, veprimet e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, të korrupsionit aktiv dhe pasiv të funksionarëve të drejtësisë janë kryer në lidhje me çështjet penale të mëposhtme, sipas akuzave dhe episodeve respektive për të pandehurit :

Procedimi penal nr.130 viti 2018 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 287/1, 333/a/1 e (2) dhe 334/1 të Kodit Penal.

Procedimin penal nr.71 viti 2020 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, në ngarkim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri, të akuzuar për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 179/a dhe 25 të Kodit Penal, duke përfshirë seancën gjyqësore të rivlersimit/zëvendësimit të masave të sigurimit të datës 17.01.2020 të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë, fazën e hetimeve paraprake, fazën e caktimit të gjyqtarit të seancës paraprake dhe zhvillimin e seancës paraprake në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë.

Ekzekutimin e disa kërkesave për ndihmë juridike të dërguara nga autoritetet belge të drejtësisë, konkretisht nga gjyqtari i hetimeve paraprake pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Bruksel, Belgjikë, ndaj procedimit penal në ngarkim të shtetasve, Alfred Vladi, Elvis Vladi, etj, të ekzekutuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda si dhe nga Prokuroria e Posaçme.

Procedimin pasuror nr.1 datë 20.12.2019 i Prokurorisë së Posacme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i zhvilluar në bazë të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, për pasuritë në zotërim të shtetasve Alfred Vladi, Elvis Vladi dhe Alban Mollaymeri.

Procedimi pasuror nr.24 prot dt.19.02.2020 i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i zhvilluar në bazë të Aktit Normativ Nr.1 datë 31.01.2020, për pasuritë në zotërim të shtetasit Suel Çela alias Marjus Lulaj.

Çështjen penale në ngarkim të shtetases Xhoi Mansaku, e akuzuar për veprën penale “Vjedhje” e mbetur në tentativë, të parashikuar nga nenet 134/1 dhe 22 të Kodit Penal, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.
Mosfillimin e procedimit penal për referimin penal nr.669 datë 26.03.2020 të dërguar nga Komisariati i Policisë Himarë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë.

Çështjen penale në ngarkim të shtetasve Altin Veizaj etj, të akuzuar për veprën penale “Kultivimi i narkotikëve” të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 284/2 i Kodit Penal, të gjykuar në Gjykatën e Shkallës së Parë, Vlorë.

Prokuroria e Posaçme në datën 30.12.2024 ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale nr.26 viti 2024 në ngarkim të të pandehurve:

Radovan Çela, i akuzuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 5 herë, në bashkëpunim 4 herë, si dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer 2 herë, 1 herë në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi (1) e 25 (sipas përmbajtjes para ndryshime me ligjin nr.43/2021) dhe nenet 319 e 25 të Kodit Penal.

Astrit Vladi, i akuzuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, e kryer 4 herë, si dhe “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi (1) e 25 (sipas përmbajtjes para ndryshime me ligjin nr.43/2021) dhe nenet 319 e 25 të Kodit Penal.

Aurel Zarka, i akuzuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 3 herë, në bashkëpunim 2 herë, “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi (2) e 25 të Kodit Penal (sipas përmbajtjes para ndryshimeve me ligjin nr.43/2021), nenet 319 e 25 dhe neni 319/ç i Kodit Penal

Eriona Daupaj, e akuzuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer 4 herë, në bashkëpunim 2 herë, “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, si dhe “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, e kryer 2 herë, të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi (2) e 25 (sipas përmbajtjes para ndryshime me ligjin nr.43/2021), neni 295/a paragrafi (3) dhe 319/ç të Kodit Penal.

Me vendimin e prokurorëve të çështjes, më datë 26.12.2024 është vendosur ndarja e çështjes penale dhe veçimi i akteve në lidhje me një sërë komunikimesh të kryera nga të pandehurit, që kanë të bëjnë me faktet dhe rrethanat e përmëndura më sipër, si edhe në lidhje me biseda që kanë të bëjnë me fakte dhe rrethana të tjera që kanë dalë gjatë veprimeve hetimore. Konkretisht, nga aktet e këtij proçedimi penal janë veçuar aktet dhe janë rregjistruar proçedimet penale si më poshtë:

Së pari, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat e kryera nga të pandehurit dhe personat e tjerë të administruara gjatë hetimeve, në përmbajtjen e të cilave përmënden persona të tjerë në cilësinë e prokurorëve, gjyqtarëve, funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, për të cilët pretendohet se kanë kërkuar apo kanë marrë përfitime të parregullta.

Së dyti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve në lidhje me bisedat dhe komunikimet që janë administruar gjatë hetimeve, nga të cilat ekzistojnë të dhëna se edhe persona të tjerë mundet të kenë kryer ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që kanë ushtruar funksionin e prokurorit, gjyqtarit apo funksionarëve të organeve të tjera të drejtësisë.

Së treti, është vendosur ndarja dhe veçimi i akteve pasi nga burimet e provave të mbledhura gjatë hetimeve për këtë procedim penal janë krijuar të dhëna dhe dyshime se mundet të jenë kryer veprime që përmbajnë elementët e veprave penale të tjera. 

Lidhur me këto episode është rregjistruar procedimi penal nr.26/1 datë 26.12.2024 dhe vijojnë që të kryhen veprimet e mëtejshme hetimore.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Zhvleresimi i EUROS nuk NDALET

Nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2024 monedha evropiane Euro ka pësuar zhvlerësime të forta përkundrejt lekut.

Teksa 100 euro në fillim të vitit që lamë pas vlente 10 mijë e 324 lekë, ndërsa në fund të 2024-s vlen afro 510 lekë më pak.

Teksa monedha evropiane ka prekur rekorde historike, duket se në 5 muajt e fundit të 2024-s, duket se ka gjetur një stabilitet të ri, duke e mbyllur vitin në nivelin e 98,15 lekëve,

Faktorë kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë janë remitancat, turizmi, si dhe investimet e huaja direkte.

Shpesh institucioni qendror financiar e ka bërë të qartë se nuk ka rol ndërhyrës në treg për shkak të rëndësisë mbikëqyrëse, por tregu mbetet i lirë për shkak të kërkesë-ofertës.

Megjithatë, nga janari në shtator Banka e Shqipërisë ka blerë gati 542.3 milionë euro, ndërkohë që në kalendarin për vitin 2025, institucioni qendror financiar ka planifikuar 22 ankande, me synim blerjen e 350 milionë eurove për të rritur rezervën valutore

Sa i përket të ardhurave të emigrantëve ato arritën në vlerën e 772 milionë euro, nga janari në shtator, kundrejt 677 milionë euro që erdhën nga emigrantët vitin e kaluar.

Nëse analizojmë të dhënat e investimeve të huaja direkte në 9 muajt e parë të vitit 2024 ato arritën në vlerën e 1,16 miliardëve kundrejt 1,105 miliardë eurove që ishin në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Pra, të dhënat tregojnë një trend në rritje të flukseve të remitancave dhe investimeve të huaja direkte, faktorë që kontribuojnë në forcimin e lekut.

Zhvlerësimi i fortë i Euros përballë Lekut është një fenomen që nisi në mesin e vitit 2022, por që do të vijonte edhe në dy vitet e fundit për të prekur nivele të reja historike përgjatë 2024-s.

Perplasen 3 makina ,4 anëtarë të një familjeje të plagosur

Një aksident i rëndë është shënuar mëngjesin e kësaj të shtunë në aksin Pogradec-Qafë Thanë, ka janë plagosur katër anëtarë të një familjeje nga Lushnja

Ngjarja ka ndodhur pranë fshatit Hudënisht, ku tre automjete janë përplasur, duke shkaktuar plagosjen e katër personave, dy prindër dhe dy fëmijë, të cilët janë nga qyteti i Lushnjës.

Dy ambulanca mbërritën në vendngjarje për të transportuar të lënduarit, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit.

Trafiku në këtë aks ka qenë i ngarkuar për disa minuta, ndërsa ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë për të garantuar sigurinë e kalimtarëve.

Fier e Lushnje, ngjarjet ne 24 oret e fundit, njoftim i Policise

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Komisariati i Policisë Divjakë arrestoi shtetasin S. V., 27 vjeç, banues në Stravec, Divjakë , pasi duke djegur mbeturinat në afërsi të banesës së tij, zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë është djegur stani dhe disa pajisje makinerie të shtetasit Rr. T.

Komisariati i Policisë Lushnjë arrestoi shtetasin B. Q., 34 vjeç, banues në Lushnjë , pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur me mjet të fortë xhaxhain e tij si edhe ka djegur disa orendi shtëpiake në banesën e babait të tij.

Komisariati i Policisë Lushnjë referoi materialet në Prokurori dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit pasi dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, ka goditur me send të fortë shtetasin A. M., 31 vjeç, banues në Fiershegan.

Komisariati i Policisë Lushnjë referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Z., 20 vjeç, banues në Lushnjë, pasi për motive të dobëta ka goditur me grushte shtetasin L. S.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Shqiptarët nuk do të lejohen të përdorin makinat çdo ditë

Ndotja e ajrit është një problem tashmë global, ku shtetet po përpiqen të marrin masa të ndryshme në ndihmë të mjedisit dhe të rritjes së cilësisë së ajrit që thithim çdo ditë.

Në këtë linjë është edhe Plani i ri Kombëtar për Energjinë dhe Klimën i cili është momentalisht për konsultim.

Në të parashikohet që përdorimi i automjeteve të kryhet në ditë të caktuara të javës, masë kjo që synon të reduktojë emetimin e gazeve.

Një ndër sugjerimet për zgjidhjen e situatës, është që automjetet të lejohen të dalin në rrugë në ditë të caktuara, sipas targave të automjeteve.

Në draft parashikohet gjithashtu që në 2026, duhet të ndërhyhet në infrastrukturë, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e rrugëve e për pasojë të përdoret më pak karburant.

 I grabiti 400 euro punonjësit të një lavazhi, arrestohet 19-vjeçari

Njoftimi: 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e rasteve të ndodhura dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, organizuan punën për identifikimin dhe ndalimin e autorit të një rasti të vjedhjes me dhunë në qytetin e Sarandës. Si rezultat, u bë i mundur ndalimi i shtetasit:

I. A., 19 vjeç, banues në Sarandë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, më datë 31.12.2024, në lagjen nr. 3, Sarandë, i ka vjedhur me dhunë shumën prej 400 eurosh një punonjësi lavazhi.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Realizohet ne Spitalin Memorial ne FIER procedura urgjente e trombektomisë

Në Spitalin Rajonal Memorial të Fierit u realizua me sukses për herë të parë në sistemin publik, procedura urgjente, e trombektomisë.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Ndërhyrja u realizua falë bashkëpunimit të ekipit multidisiplinar përfshirë dr. Umit Gorgulu, dr. Klaudio Disha, dr. Kjanda Elpenoria, dr. Muhammet Karaca dhe të bashkëpunimit me dr. Mesut Karatas si dhe të teknikëve profesionistë, Tolga Kaya, Halil Ibrahim Ozkan.

“Kjo është një nga procedurat shpëtimtare, për të hequr mpiksjen e gjakut në arterien e trurit duke rivendosur rrjedhën e gjakut dhe minimizimin e dëmtimeve neurologjike.

Implementimi i autonomisë menaxheriale ka zgjeruar gamën e shërbimeve dhe po garanton ofrimin e një shërbimi cilësor, nga kapacitetet më të mira profesionale dhe teknologjia e avancuar mjekësore”, tha Koçiu.

Spitali Rajonal Memorial i Fierit, i ndërtuar në një kohë rekord, investim i Republikës së Turqisë, ofron shërbime të nivelit terciar, për të gjithë rajonin e jugut.

Me një kapacitet 150 shtretër, në këtë spital aplikohet për herë të parë modeli i autonomisë spitalore.

Spitali Memorial Rajonal Fier ofron shërbimin e urgjencës, kirurgjisë, neurokirurgjisë, kirurgjisë kardiovaskulare, mjekësisë interne, kardiologjisë, neurologjisë, sëmundjeve infektive, pneumologjisë, shërbimin e ortopedisë dhe traumatologjisë.

Në maj 2021, në Spitalin Memorial të Fierit u krye me sukses ndërhyrja e parë kirurgjikale.