Nga 1 Janari 2024, Ministria e Financave synon të mbledhë taksa edhe nga individët që gjenerojnë të ardhura nga platformat e huaja të internetit. Kjo kategori, që deri më sot i kishte shpëtuar tatimeve në pjesën më të madhe, përfshin të gjithë rezidentët që fitojnë nga TikTok-u, Instagrami, Facebook, YouTube, Google. Blogerëve në këtë mënyrë do t’u kërkohet të paguajnë tatimin mbi të ardhurat në masën 15%.
Po ashtu, do të tatohen edhe individët që lëshojnë pronat e tyre me qira ditore në platformat e prenotimeve si Booking dhe AirBNB, si dhe rishitësit apo reklamuesit, që paguhen nga platformat e tregtisë online si Amazon dhe Alibaba.
Plani për të identifikuar këta individë, sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, mbështetet mbi pagesat që këto kompani i bëjnë këtyre individëve përmes llogarive bankare.
Në Shqipëri operojnë sipas të dhënave të AirBNB mbi 16,800 prona aktive për qira ditore, në Booking mbi 3,500 prona. Ndërsa një numër i madh influencerash në Shqipëri deklarojnë se fitojnë të ardhura marramendëse nga TikToku, apo Instagrami.
Tatimi 15% mbi këto të ardhura synohet të mbahet në burim, por edhe nëse i shpëtojnë sitës së parë të Tatimeve, këta individë janë të detyryar të bëjnë pagesën e detyrimit në deklaratën vjetore të të ardhurave.