Ballina Aktualitet Sulmet në veri të Kosovës, reagon dhe Rama

Sulmet në veri të Kosovës, reagon dhe Rama

Për sulmet në veri të Kosovës ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama në rrjetin social X. Për të vrasja e policit të shtetit kosovar është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

Për Ramën, fajtorët duhet të dalin përpara drejtësisë. Nga ana tjetër komuniteti euro-atlantik duhet të ulë në tryezë të dy palët dhe duhet të thirret një konferencë e jashtëzakonshme paqeje.

Postimi:

Tragjedia e humbjes së jetës së efektivit të Policisë së Kosovës është këmbana më e madhe e alarmit deri më sot për rrezikun e vazhdueshëm të eskalimit të krizës së zgjatur në një konflikt të armatosur. Kriminelët që i morën jetën një njeriu të pafajshëm, i cili shërbente nën uniformën shtetëtore të forcave të rendit të Republikës së Kosovës, duhet të dalin përpara drejtësisë. Komuniteti euroatlantik duhet të mbledhë të gjithë forcën e tij imponuese dhe të ulë pa kthim, Kosovën dhe Serbinë në tryezën e Dialogut të Normalizimit. Thirrja e një konference të jashtëzakonshme paqeje, nën mbikqyrjen e garancinë e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara, e njëkohësisht marrja e të gjitha masave të jashtëzakonshme me KFOR-in, për moslejimin e eskalimit të mëtejshëm të situatës, janë një domosdoshmëri strategjike jo vetëm për rendin e sigurinë në Kosovë sot, po edhe për paqen e të ardhmen e rajonit nesër, përpara sesa kriza e zgjatur në Veriun e Kosovës të dalë jashtë kontrollit e të kthehet në një zjarr destabilizues për krejt rajonin.