Prokuroria e Posaçme ka vendosur të shtyjë edhe me tre muaj hetimet për ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati që prej muajit korrik të vitit 2023.Organi i akuzës i komunikoi avokatit afatin e ri që është muaji mars i vitit 2025 pas së cilës dosja do të kalojë për vlerësim në gjykatë.
I njëjti vendim është marrë edhe për familjarët e tij, bashkëjetuesen dhe ish bashkëshorten e ish ministrit të financave.
Arben Ahmetaj akuzohet për kryerjen e tre veprave penale për “Pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv” në lidhje me incineratorin e Tiranës.
Në 14 korrik të vitit të kaluar SPAK kërkoi nga parlamenti lejen për arrestimin e tij, e më pas mori dhe firmën e GJKKO për të vepruar.
Për shkak se ish-zëvendëskryeministri nuk u gjend në territor ai u shpall më tej në kërkim ndërkombëtar.
Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.
Ndaj tij, ka edhe hetim pasuror dhe janë vënë në sekuestro dy vila, disa apartamente dhe llogari bankare.
Ndërkaq tashmë gjykatat kanë dhënë dënimet për incineratorët e Elbasanit dhe të Fierit, ndërsa për kryeqytetin procedurat vijojnë ende ndërsa disa prej të akuzuarve janë në masën e arrestit.