Ballina Shqiperia ime SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të 15 personave dhe familjarëve të tyre

SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të 15 personave dhe familjarëve të tyre

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkon konfiskimin e pasurive të 15 personave, të cilët vepronin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe që janë arrestuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Muratori” .

Pasuritë e identifikuara në pronësi të shtetasve Fael Muka, Xhulio Kastrati, Kledjon Mucollari, Ervis Vangjeli, Kristian Ibrahimaj, Alban Mahilaj, Klaudia Sulejmani, Besmir Selamaj, Altin Ymeraj, Mark Lisi, Ani Kuci, Daniel Elezi, Erando Mara, Indrit Kolgjokaj, Endri Sercan dhe familjarëve të tyre, të paluajtshme apo të luajtshme kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe i kanë fituar si rezultat i veprimtarisë së tyre kriminale të zhvilluar në Shqipëri dhe Itali, thotë SPAK.


Konkretisht, kërkohet të konfiskohen 43 automjete, 4 motomjete, 18 pasuri të paluajtshme, 25 subjekte tregtare si SH.P.K (Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar) dhe P.F (Person Fizik), 6 shoqëri aksionere, konkretisht konfiskimi i përqindjeve takuese të personave të hetuar dhe familjarëve të tyre si dhe llogari bankare në të gjitha bankat e nivelit të dytë të personave të hetuar si dhe familjarëve.

Nga aktet hetimore, njofton SPAK, rezulton se nga autoritetet italiane të drejtësisë dhe konkretisht të Prokurorisë së Firences dhe nga verifikimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme në Shqipëri, janë administruar të dhëna se këta shtetas, veprojnë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali dhe më pas shpërndarjen e saj në Itali. Gjithashtu nga hetimi janë administruar të dhëna se paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga aktiviteti kriminal i pjesëtarëve e këtij grupi kriminal janë investuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.