Ballina Aktualitet Sot afati i fundit per listat e kandidateve. PS mbledh Kryesinë, PD...

Sot afati i fundit per listat e kandidateve. PS mbledh Kryesinë, PD Këshillin Kombëtar

Ora 24;00 e ditës së sotme është edhe afati i fundit i dorëzimit të listave që përcaktojnë ekipet me të cilat partitë politike do të garojnë më 11 maj për përbërjen e parlamentit të ri.

Partia Demokratike e Shqipërisë ka njoftuar se do të mbajë dy mbledhje të rëndësishme sot, mbledhja e Kryesisë së PD do të zhvillohet në orën 16:00, ndërsa mbledhja e Këshillit Kombëtar do të nisë në orën 19:00.

Gjatë këtyre mbledhjeve, do të shqyrtohen çështje të rëndësishme që lidhen me përzgjedhjen e kandidatëve për deputet për zgjedhjet dhe strategjinë e fushatës elektorale. Pritet që, pas diskutimeve, të shpallen emrat e kandidatëve që do të përfaqësojnë PD-në në zonat zgjedhore në gjithë vendin.

Burime të brendshme nga Partia Demokratike theksuan se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është duke u zhvilluar në mënyrë të kujdesshme dhe me një vëmendje të shtuar për të pasur përfaqësim të duhur në çdo nivel të vendit. Kjo është një fazë e rëndësishme për PD-në, pasi po punon për të rritur mbështetjen e elektoratit dhe për të arritur një rezultat të suksesshëm.

Këto mbledhje do të jenë një mundësi për anëtarët e Kryesisë dhe të Këshillit Kombëtar të diskutojnë dhe miratojnë listat e kandidatëve, të cilët do të paraqiten për votim dhe do të udhëhiqen nga Partia Demokratike në këtë proces elektoral.
Ndërkohë edhe Partia Socialiste do të mbledhë Kryesinë, ku do të “vulosen” emrat që do të përzgjidhen nga listat paraprake të dorëzuara nga drejtuesit politikë.

Ende nuk është e qartë nëse kryeministri Edi Rama do të jetë pjesë e garës, pasi në mbledhjen e grupit të zhvilluar ditën e djeshme ai la të hapur mundësinë që edhe mund të mos jetë pjesë e listave.

Sipas Ramës, listat do të jenë një ndërthurje e eksperiencës të të “vjetërve’ dhe energjisë të të rinjtë që do të çoje në krijimin e një ekipi fitues për PS më 11 maj.

Ai paralajmëroi se të gjithë deputetët përveç drejtuesve politikë do të jenë në listë të hapur. Sa i përket listës së mbyllur Kryeministri deklaroi se do t’u takojë grave, të rinjve dhe të rejave.