Vijon të jetë situata e rënduar në të gjithë rrethin e Bulqizës ku rrugët janë nën pushtetin e dëborës dhe ngricave.Aktualisht rrugët nacionale Bulqizë-Tiran, Bulqizë-Peshkopi, Qafë e Bualli-Krastë kalohet me zinxhir. Si pasojë e situatës së rënduar shumë fshatra të njësive administrative Ostren, Trebisht, Zerqan, Martanesh, Fush Bulqizë, Shupenz janë të bllokuar.
Si pasojë e temperaturave të ulëta dhe bllokimit të rrugëve është pezulluar mësimi në të gjithë rrethin e Bulqizës. Trashësia e dëborës në qytet ka arritur në 40 centimetra ku ka bërë që shumë biznese të mbyllen.
Ndërsa në njësitë administrative trashësia vijon nga 40 centimetra deri në 70 centimetra në zonat e thella!
Edhe qarku i Korçës është përfshirë nga reshjet e dendura të dëborës, ku trashësia varion nga 15 deri në 35 cm.
Sipas të dhënave akset nacionale janë te kalueshme normalisht. Të kalueshëm pa probleme janë edhe segmentet Korçë- Dardhë dhe Korçë -Voskopojë.
Sakaq për shkak të situatës së rënduar të motit autoritetet greke vijojnë të mos lejojnë kalimin në kufi të autobusëve dhe kamionëve.
Vijon të mbetet e njëjtë situata në Qarkun e Dibrës. Në orët e para të mëngjesit intensiteti i reshjeve të borës është dobësuar.
Trashësia në qytetin e Peshkopisë kalon 35 cm, ndërsa në zonat e thella arrin në 70 cm.
Ndërprerja e reshjeve u ka dhënë mundësi kompanive kontraktore të avancojnë me hapjen dhe kriposjen e rrugëve
Vijon të mbetet i mbyllur bypass-i i Murrizit, janë 3 mjete borëpastruese që po punojnë për hapjen dhe kriposjen, me gjasë për tu hapur në orët e mesditës.
Aksi Peshkopi-Tiranë është i kalueshëm, ndërsa në aksin Peshkopi-Kukës kalimi bëhet pjesërisht me zinxhirë, ka probleme në Vasie për shkak të erës së fortë. Po ashtu edhe aksi Peshkopi-Librazhd është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.
Janë pastruar rrugët e qyteteve dhe disa njësive administrative më të afërta. Mbeten ende pa komunikim Lura, disa fshatra të Kalasë së Dodës, Selishta në Dibër