Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në afërsi të një fabrike çimentoje në Mamurras, teksa një konflikt pronësie mes kushërinjsh ka agravuar deri në përdorimin e armëve.
Raportohet se Fatos Sela së bashku me vëllezërit e tij ishin duke kryer punime për rrethimin e një sipërfaqe toke, e cila pretendohet edhe nga kushërinjtë e tyre.
Mësohet se në vendngjarje ka mbërritur më pas efektivi i Policisë Rrugore Sahit Ahmetaj (Sela), i cili fillimisht ka debatuar me kushërinjtë e tij, njëherazi edhe fqinj.
Debati mes tyre ka agravuar shpejt dhe efektivi i policisë, i cili sipas autoriteteve ishte jashtë shërbimit ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të palës tjetër.
Megjithatë plumbat e armës së efektivit nuk kanë mbetur pa përgjigje, pasi kushërinjtë e tij kanë qëlluar po ashtu me armë zjarri.
Për pasojë efektivi i Rrugores ka mbetur i plagosur, ndërsa nga pala tjetër janë plagosur Fatos Sela dhe Adrian Sela.
Të tre janë dërguar në spital për të marrë kujdesin mjekësor dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Sakaq, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.