Fermerët do të kenë mundësinë që së shpejti të aplikojnë për pagesa direkte nga skema e subvencioneve 2025. Vendimi i qeverisë përcakton kriteret e reja, ku përmes disa masave do të mbështetet rritja e konkurrueshmërisë së sektorit bujqësor dhe ulja e kostot për fermerët.
Konkretisht do të jepet pagesë direkte për gjedhët, në vlerën deri në 10 mijë lekë/krerë lopë/mëshqerrë dhe deri në 5 mijë lekë/krerë viça për fermer/aplikant, me jo më pak se 10 krerë gjedhe.
1 200 lekë lekë/krerë për të imtat, për aplikantët me jo më pak se 100 krerë dele dhe/ose dhi. Sa i takon bletarisë do të jepen 1 mijë lekë për zgjua për fermer/aplikant, me jo më pak se 50 zgjoje.
200 mijë lekë për ha për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermer/aplikant, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha.
Në çdo rast nëse masa e përfitimit përgjysmohet për kalimin e kufirit të vendosur, për bashkimet e fermerëve, pagesat do të jepen në masën 100%.
Përfitojnë pagesë shtesë fermerët që përdorin kontrollin biologjik të dëmtuesve të perimeve (domate, speca, tranguj, luleshtrydhe). Masa e përfitimit është në 50% të vlerës totale të faturave tatimore për blerjen e materialeve biologjike, përfshirë insektet e dobishme, por jo më shumë se 30 mijë lekë për dynym, në rastin e dy mbjelljeve në vit.
Pagesa për kultivimin e bimëve mjekësore e aromatike, është në vlerën 30 mijë lekë/ha për fermer/aplikant, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe 100-200 mijë lekë për fermat organike.
Sipas vendimit, fermerët do të përfitojnë pagesa cash për naftën që përdorin për punime të mekanizuara në bujqësi., Kriteret që duhet të plotësojnë fermerët për të përfituar nga skema e naftës, janë që të kenë tokë bujqësore në pronësi dhe/ose në përdorim, të provuar me dokumentacionin përkatës; Sipërfaqja totale për të cilën aplikohet duhet të jetë jo më pak se 1 ha, ndërsa madhësia e parcelave, me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha. Aplikimi për të përfituar nga masa e mbështetjes me naftë për bujqësinë bëhet me vetëdeklarim.
Fermerët përfitojnë deri në 100% të vlerës, me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra. Për sipërfaqen mbi 10 ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”. Aplikimet i nënshtrohen procesit të verifikimit/kontrollit administrativ dhe për aplikimet fituese kryhet kontrolli në terren.