Sistemi i ri i hyrje-daljeve (Entry/Exit System-EES) i Bashkimit Evropian, i paraparë të hynte në fuqi nga 10 nëntori i këtij viti, është shtyrë për një kohë të papërcaktuar.Kjo, për shkak se një pjesë e vendeve anëtare të bllokut nuk janë ende të gatshme për përdorimin e tij.
EES, i cili u krijua në nëntor të vitit 2017, është sistem i paraparë për udhëtarët nga vendet joanëtare të bllokut.
Komisionarja e BE-së për punë të brendshme, Ylva Johansson, e bëri të ditur lajmin të enjten (10 Tetor), por nuk tregoi se kur mund të hyjë ai në fuqi.
Me sistemin EES, të gjithë qytetarët nga vendet jo anëtare që udhëtojnë për në BE, duhet t’i regjistrojnë në një sistem të veçantë digjital hyrjet dhe daljet e tyre në dhe nga territori i vendeve të BE-së.
Në vendkalimet kufitare, ata duhet të lënë edhe të dhënat personale, përfshirë edhe gjurmët e gishtërinjve dhe të dhënat e tjera biometrike.
Ky sistem është konsideruar si i nevojshëm për ta rritur sigurinë e Bashkimit Evropian, për të pasur një kontroll se kush hyn në BE, si edhe për t’i luftuar dhe sanksionuar keqpërdorimet nga ata që mund të hyjnë pa viza, por pastaj nuk i respektojnë rregullat.
Por, disa ekspertë të vendeve anëtare kanë paralajmëruar se ky sistem ka mundësi t’i rrisë pritjet edhe ashtu të gjata në kufijtë e jashtme të Bashkimit Evropian.
Ndër vendet të cilat nuk janë gati për të nisur me 10 nëntor zbatimin e këtij sistemi, janë përmendur Gjermania, Franca dhe Holanda.
Komisioni Evropian dhe vendet anëtare të BE-së do të punojnë për të përgatitur zbatimin e këtij sistemi, por data se kur do të nisë kjo nuk është përmendur.
Ky sistem nuk është njëlloj sikur sistemi ETIAS, i cili do të duhej të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm.
ETIAS është një sistem i cili u kërkon shtetasve të vendeve të treta të regjistrohen në sistemin e saj para se të udhëtojnë drejt BE-së dhe të presin konfirmimin. Konfirmimin e marrin për një periudhë trivjeçare. /REL