Përveç kartës fizike të identitetit, qytetarëve shqiptarë do t’u krijohet mundësia që të pajisen edhe me letërnjoftim digjital. Sapo është nxjerrë për konsultim publik projektligji për disa ndryshime në letërnjoftimin elektronik, i cili parashikon pajisjen me kartë identiteti digjitale, me qëllim përmirësimin dhe standardizimin e mënyrave të identifikimit të qytetarëve në ambientin digjital.
Në kuadër të digjitalizimit, modernizimit të sistemeve elektronike dhe zbatimit të skemave të sigurta të shërbimeve e-ID, këto ndryshime u propozuan nga Ministria e Brendshme, e në veçanti shoqëria aksionare IdentiTek, si shoqëria e cila prodhon dhe shpërndan dokumente biometrike për shtetasit shqiptarë ose të huaj me banim të përkohshëm apo të përhershëm në Shqipëri.
Si rezultat i procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, ligji për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë do të ndryshohet në përputhje me kuadrin rregullator të BE-së. Kjo e fundit zbatoi këtë vit një rregullore të re mbi identitetin digjital, duke krijuar mundësinë e sigurimit të një përputhje të lartë të standardeve dhe sigurisë në të gjithë vendet anëtare, për të lehtësuar lëvizjen dhe komunikimin nëpërmjet platformave dixhitale brenda BE-së, si dhe për të forcuar sigurinë dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Ky projektligj do të përmbushë objektivat e qeverisë në drejtim të identitetit digjital, duke standardizuar identifikimin e qytetarëve në nivel evropian dhe zbatuar një identitet digjital të përbashkët, i cili mund të lehtësojë komunikimin dhe bashkëpunimin me institucionet dhe bizneset evropiane.
/SCAN