Ballina Shqiperia ime Shpopullimi i fshatrave, tokat kthehen në biznes duke i lene me qera

Shpopullimi i fshatrave, tokat kthehen në biznes duke i lene me qera

Shpopullimi i fshatrave dhe emigrimi në rritje i kanë shtyrë fermerët që pasurinë e paluajtshme ta nxjerrin me qira, duke u përpjekur kësisoj ta vënë në funksion atë por edhe të marrin të ardhura.

Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për toka djerrë apo pa produktivitet, por edhe për ullishte të cilat nxjerrin një shumë të konsiderueshme të ardhurash vjetore nëse u bëhet shërbimi siç duhet si dhe vreshta që po ashtu, përveçse shitjes direkte të produktit, përpunohen në verë, musht, raki.

Referuar portalit të fermerit, ku janë të listuara tokat bujqësore që  jepen me qira në të gjithë vendin, duket se një peshë të konsiderueshme zënë ullishtet dhe vreshtaria.

Konkretisht, në total janë 4379 parcela të listuara për qira, pjesën më të madhe e zënë tokat arë, rreth 2768 parcela duke qenë se për arsye të ndryshme, ku përfshihet emigrimi, janë lënë djerre dhe dhënia me qira u jep mundësi për të krijuar të ardhura fermerëve kudo që ndodhen.

Ndërkohë që numërohen 649 parcela me pemëtore, 482 parcela me vreshta dhe 412 ullishte me sipërfaqe të ndryshme të cilat janë në tregun e qiradhënies. Sa i takon ullishteve, shumica prej tyre gjenden në Berat, Fushë-Krujë, Durrës, Kuçovë, Përmet dhe Vlorë. Ndërsa pjesa më e madhe e vreshtave gjenden në Berat, Kurbin, Lezhë, Përmet dhe Vlorë.

Së fundmi, ulliri është konsideruar si një ndër kultivarët më me përftim për fermerët, duke qenë se kërkesa është orientuar drejt prodhimit vendas të vajit të ullirit dhe po ashtu, bumi turistik ka bërë që kjo kërkesë të jetë më e lartë. Nga ana tjetër janë hapur dyert edhe për eksport, kryesisht me Italinë.  Këtë vit duket se ka një prodhim të mbarë dhe aktualisht çmimi i shitjes së vajit të ullirit varion në 700 lekë/litër.