Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës, e cila ka caktuar masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të Policisë, Nënkomisar M.Q.
Sipas policisë ndaj efektivit ka pasur një hetim disa mujor ku ka rezultuar se nënkomisari në kohën kur ishte me detyrë në policinë e Vlorës nuk referonte materialet proceduriale në Prokurori për raste aksidentesh me pasoja të rënda, duke konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë – Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë – Gjirokastër), pas një hetimi disa mujor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës, e cila ka caktuar masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj punonjësit të Policisë, Nënkomisar M.Q. Ai është aktualisht me detyrë OPGJ në Sektorin e Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Gjirokastër.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se punonjësi i Policisë në kohën kur ishte me detyrë në DVP Vlorë, nuk referonte materialet proceduriale në Prokurori për raste aksidentesh me pasoja të rënda, duke konsumuar elementë të veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.
Vijojnë hetimet për raste të tjera të veprimeve të paligjshme të kryera nga ky punonjës policie.