Shoqata e Gazetarëve Europianë – Seksioni Shqiptar (AEJ Albania) shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimin e radhës të paprecedentë të ndërmarrë së fundmi nga drejtuesja e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), që cenon standardet profesionale dhe të drejtat e gazetarëve.
Konkretisht, vendimi i Drejtoreshës në detyrë, Aurora Polo, për të ulur nga pozicioni i kryeredaktorit të lajmeve të RTSH1, Olsjan Laskaj, pa një argument të qartë dhe në kundërshtim me rregulloret e brendshme dhe legjislacionin në fuqi, përbën një precedent shqetësues. Ky veprim ka pasur pasoja serioze, duke ndikuar negativisht si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal të ish-kryeredaktorit, duke detyruar largimin e tij nga puna.
Në një moment të rëndësishëm tranzicioni, ku pritet emërimi i Drejtorit të ri të Përgjithshëm të RTSH, AEJ Albania u bën thirrje strukturave përgjegjëse të garantojnë respektimin e ligjit dhe të ndalojnë çdo veprim të motivuar nga interesa personale apo presione politike. Një qasje e tillë cënon jo vetëm të drejtat e punonjësve, por edhe integritetin dhe besueshmërinë e medias publike.
Shoqata e Gazetarëve Europianë – Seksioni Shqiptar qëndron kundër çdo shkeljeje dhe kërkon transparencë e profesionalizëm në menaxhimin e institucioneve publike të medias.
AEJ Albania do të informojë partnerët ndërkombëtarë për këtë situatë.