Durim Tosku është arrestuar pas shkarkimit nga posti i drejtorit të burgut të Fushë-Krujës. 52 vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve urdhëroi shkarkimin e tij.
“Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka ndërmarë këtë hap, pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cënuara nga Durim Toska. Vendimi vjen në përshtatje me objektivat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për përmirësimin e efikasitetit dhe integritetit në sistemin e drejtësisë. Ministri Manja shpreh besimin në vazhdimin e punës dhe angazhimin për të siguruar një administratë të fuqishme dhe të drejtë.” njoftoi ministria.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin Durim Tosku, 52 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje.“, njofton policia.