Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dalë me një njoftim zyrtar, ku thekson se është tepër i alarmuar për veprimet e drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, Alfred Peza, dhe Policisë së Shtetit, në raport me të paktën 5 ish-punonjës të RTSH-së.
Sipas AGSH-së, ish-punonjësit kanë denoncuar se në dy ditët e fundit janë thirrur në Policinë e Tiranës, ku janë marrë në pyetje dhe u janë kontrolluar telefonat celularë për shkak të një kallëzimi të bërë nga Alfred Peza për “prishje imazhi”.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë nënvizon se pyetja e punonjësve dhe kontrolli i aparateve celulare është një akt i rëndë që synon frikësimin, intimidimin dhe heshtjen e tyre nën sfondin kur këta të fundit, kanë folur hapur për shkarkimet masive dhe të padrejta të Alfred Pezës.
AGSH i kërkon në mënyrë urgjente Policisë së Shtetit që të ndërpresë këtë praktikë abuzive dhe të sqarojë menjëherë rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, AGSH kërkon nga Peza të tërhiqet në mënyrë të menjëhershme nga këto praktika që synojnë frikësimin e ish-punonjësve të shkarkuar.
“Ne jemi duke e ndjekur nga afër këtë situatë dhe do t’i mbajmë të informuara edhe organizatat partnere ndërkombëtare”, thuhet në njoftim./CNA