Durrës/Vijon zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Tempulli”, dhe në Paketën për Sigurisë në shkolla, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”dhe ato të Forcës Operacionale të DVP Durrës, operacioni policor i koduar “Pjeza”.
Goditet një tjetër rast i shitjes së drogave të forta, në afërsi të shkollave, në lokale dhe ambiente të ndryshme.
Sekuestrohen 1 kilogramë e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 2 peshore elektronike që shërbenin për ndarjen në doza të lëndës narkotike, 2 automjete dhe 4 celularë.
Vihen në pranga 2 vëllezërit që ushtronin këtë veprimtari kriminale.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Tempulli” dhe në Paketën për Sigurinë në shkolla, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të veprimtarisë kriminale të shitjes së drogave të forta në doza, në qytetin e Durrësit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Durrës finalizuan operacionin policor të koduar “Pjeza”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasit N. B., 45 vjeç, dhe I.(B.) D., 41 vjeç, vëllezër, banues në fshatin Pjezë, Shijak, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 2 peshore elektronike që këta shtetas i përdornin për të ndarë lëndën narkotike në doza, 2 automjete dhe 4 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.