Një seri sulmesh ndaj kutive të votimit në disa shtete po rrit trysninë ndaj zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, të cilët shpresojnë të mbikëqyrin një proces zgjedhor të sigurt dhe paqësor, si në votimet e hershme që po zhvillohen në pjesën më të madhe të vendit, ashtu edhe ditën e zgjedhjeve, kur miliona amerikanë t’u drejtohen qendrave të votimit.
Shteti veriperëndimor i Uashingtonit i konfirmoi Zërit të Amerikës të hënën se policia lokale dhe FBI-ja po hetojnë të dhënat lidhur mbi dyshimet se një “pajisje ndezëse” ishte vendosur në një kuti votimi, në Vankuver, të Uashingtonit, herët të hënën.
Fjala është për kuti të posaçme ku hidhen votat e dërguara me postë, në kuadër të procesit të votimit të hershëm.
Zyrtarët thanë se nuk pati të lënduar, por se disa nga fletët e votimit ishin dëmtuar. Në videot të transmetuara nga mediat lokale dukeshin zjarrfikësit në vendngjarje, ndërsa disa nga fletët e votimit digjeshin në tokë.
Më herët të hënën, zyrtarët në qytetin Portland të shtetit të Oregonit, njoftuan se në një nga kutitë e votimit ishte vendosur një pajisje ndezëse. Falë një mekanizmi kundra zjarrit, u bë e mundur që të shmangej dëmtimi masiv i fletëve të votimit. Vetëm tre prej tyre u dëmtuan.
“Sulmi ndaj kutive të votimit është një sulm ndaj demokracisë sonë dhe është krejtësisht e papranueshme”, tha Sekretarja e shtetit të Oregonit, LaVonne Griffin-Valade në një deklaratë. Edhe Sekretari i shtetit të Uashingtonit dënoi rastet.
“Dënoj me forcë çdo akt terrori që synon të prishë zgjedhjet e ligjshme dhe të ndershme në shtetin e Uashingtonit”, tha Steve Hobbs. “Nuk do të tolerojmë kërcënime apo akte dhune që synojnë të minojnë procesin demokratik”.
Sulmet ndaj kutive të votimit në Uashington dhe Oregon pasojnë sulmin e javës së kaluar në një kuti postare me fletë votimi në Feniks të Arizonës, në jugperëndim të vendit. Zyrtarët atje arrestuan një të dyshuar për vënien e zjarrit që çoi në dëmtimin e rreth 20 fletësh votimi.
Sulmet ndaj kutive postare dhe kutive të mbledhjes së votave ndodhin në një kohë që zyrtarët amerikanë të sigurisë po lëshojnë paralajmërime të reja për dhunë të mundshme të lidhur me zgjedhjet nga ekstremistë me bazë në Shtetet e Bashkuara.