Ministri i Brendshëm, zoti Taulant Balla, ka reaguar në Facebook rreth rastit ku një 27-vjeçar shantazhonte një të mitur.
Ai u shpreh se është rritur vigjilenca kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online. Gjithashtu, ai kërkoi bashkëpunimin me publikun, të cilët duhet të drejtohen pa hezitim duke kallëzuar çdo rast shantazhi e dhune përmes rrjeteve sociale.
Reagimi i zotit Balla:
Ngjarjet e fundit kanë rritur nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online. Policia e Shtetit përmes Sektorit për Hetimin e Krimeve KibernetikeTiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm kanë identifikuar një tjetër rast shantazhi në rrjetet sociale me rrezikshmëri ndaj një minoreneje.
Po bashkëpunojmë me agjencitë partnere për fuqizimin e kapaciteteve tona në përballjen me këtë formë kriminaliteti. Policia e Shtetit po rrit vigjilencën dhe forcën parandaluese, është i domosdoshëm bashkëpunimi me publikun, të cilët duhet të drejtohen pa hezitim duke kallëzuar çdo rast shantazhi e dhune përmes rrjeteve sociale, për të na dhënë mundësinë e reagimit në kohë. Në momentin më të parë të konstatimit duhet denoncur dhe jo të bini pre e shantazhit!
Paralelisht po punojmë për ndryshimet ligjore kundër dhunës online, ndërsa ofruesit e rrjeteve sociale po përmirësojnë nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe.