Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, zhvilloi një takim me strukturat drejtuese të 12 Drejtorive Vendore në qarqe, ku kërkoi përmirësimin e standardit të shërbimit policor, veçanërisht në kulmin e sezonit turistik.
Rrumbullaku u shpreh se, Drejtoritë Vendore duhet të forcojnë dhe përmirësojnë shërbimet në terren për të përballuar numrin e shtuar të turistëve, për të rritur cilësinë e shërbimit ndaj tyre, si dhe për të parandaluar e zbuluar ngjarjet kriminale.
“Çdo shkelje e etikës nga punonjësit e policisë, në kontakt me turistët, nuk do të trajtohet vetëm si një përgjegjësi individuale, por edhe si një përgjegjësi e drejtuesve përkatës. Policia e Shtetit nuk është një strukturë për vendosjen e gjobave dhe vjeljen e tyre, por është në shërbim të qytetarëve, vendas dhe të huaj, duke dëshmuar etikë dhe profesionalizëm. Këshillimi dhe ndihma për qytetarët duhet të jenë parësore në punën e punonjësit të policisë”, u shpreh Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkoi nga drejtuesit vendorë të policisë marrjen e masave për parandalimin dhe goditjen e kriminalitetit, me një fokus të veçantë te lufta ndaj kultivimit të bimëve narkotike dhe vendosja përpara drejtësisë e personave në kërkim.