Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara, ka finalizuar operacionin e koduar “Resemblance.”
Në bazë të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë dhe të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u konfiskuan një sërë pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të Redjan Rrajës, Kejvina Kthjellës dhe Marsela Çiçës.
Raportohet se autoritetet kanë sekuestruar jësi me sipërfaqe 30 m² dhe 76 m² dhe një automjet në emër të Redjan Rrajës, një njësi me sipërfaqe 127.5 m² dhe dy njësi të tjera nga 18.09 m² në emër të shtetases Marsela Çiça, një orë dore Rolex si edhe një automjet në pronësi të Kejvina Kthjellës.
Vlera e këtyre pasurive arrin në rreth 1 milion euro. Ato janë konfiskuar për kalimin në favor të shtetit dhe tashmë i janë dorëzuar Agjencisë së Administrimit të Aseteve të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Materialet hetimore janë dorëzuar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ndjekje të mëtejshme.