Lista e aplikantëve që kanë kaluar “testin” për të përfituar naftë falas për punime të mekanizuara në bujqësi është bërë publike. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka shpallur emrat e përfituesve, ku rezulton se nga 54.255 aplikime për mbështetje me naftë për punime të mekanizuara në bujqësi, janë përzgjedhur 23.190 prej tyre apo afro gjysma e fermerëve që kanë kërkuar mbështetje.
Duke qenë se Ministria e Bujqësisë është shprehur se fondi prej 12 milionë eurosh për këtë qëllim do të ndahet në mënyrë propocionale mes aplikantëve që plotësojnë kriteret e nevojshme, duket se përgjysmimi i tyre ka të bëjë me problematika në këtë drejtim.
Por si është shpërndarja në qarqe? Të dhënat tregojnë se qarku Fier, ku dhe bujqësia është me e zhvilluar, është ai që kryeson për nga numri i përfituesve me afro 9878 të tillë, ndjekur nga Qarku i Korçës, Beratit, Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës.
Ndërsa qarku që ka më pak përfitues rezulton të jetë Kukësi me vetëm 66 të tillë.
Përfitimi për sipërfaqen që kultivohet varion: deri në 100% të vlerës, për fermerët/aplikantët me sipërfaqe deri në 10 hektarë. Ndërsa për sipërfaqen mbi 10 hektarë, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “grup fermerësh” ose “SHBB”.
Skema e mbështetjes me naftë këtë vit ka ndryshuar dhe nuk do të bëhet përmes kartave si vitet e kaluara, por me para’ të cilat do të kalojnë në llogaritë e fermerëve.
Ministria e Bujqësisë është shprehur se po punohet për të arritur një marrëveshje me bankat tregtare që të mundësohen llogari me kosto të reduktuar për ata fermerë që janë përfitues të naftës.
Ministria e Bujqësisë kishte programuar që numri i përfituesve nga skema e naftës për vitin 2024 të ishte 31.500 individë.