Ballina Shqiperia ime Rritja e akcizës, ja cfarë do të ndodhë me karburantin, alkoolin e...

Rritja e akcizës, ja cfarë do të ndodhë me karburantin, alkoolin e duhanin

Ministria e Financave do të kryejë një analizë të detajuar, në lidhje me nivelet minimale të akcizës për çdo kategori produkti që importohet apo prodhohet në vend.

Ministria e Financave do të kryejë një analizë të detajuar, në lidhje me nivelet minimale të akcizës për çdo kategori produkti që importohet apo prodhohet në vend, me synim përafrimin e mëtejshëm me nivelet minimale të parashikuara në Direktivat e Bashkimit Evropian.

Referuar strategjisë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, e cila ka hyrë në fuqi,   duke qenë se Shqipëria aplikon akcizat me tarifë specifike për njësi,  niveli i akcizave të mallrave kryesore që ngarkohen me akcizë si karburantet dhe duhanet, është përgjithësisht më i ulët se nivelet e akcizave që zbatohen nga vendet e BE-së. Për këtë arsye synimi kryesor është përafrimi gradualisht i nivelit të akcizës me minimumet e direktivave të BE-së, pra e thënë ndryshe rritja graduale e kësaj takse.

Akciza është taksë specifike, e pagueshme për disa kategori mallrash që importohen apo prodhohen brenda vendit dhe përfshin alkoolin dhe pijet alkoolike, karburantet, duhanin dhe nënproduktet e tij, produktet energjetike, kafenë, fishekzjarrët, gomat, etj.

Sipas dokumentit, analiza e cila do të përfundojë deri në Qershor 2025, do  të fokusohet edhe në eliminimin në disa industri të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga akciza dhe zëvendësimi i tyre me subvencione direkte.

Që nga viti 2022, ka filluar zbatimi i rekomandimeve të asistencës së FMN-së, në lidhje me masat në fushën e akcizës, duke eliminuar disa përjashtime/rimbursime për industri të caktuara. Megjithatë, konsiderohet ende e nevojshme të analizohen përjashtimet dhe rimbursimet aktuale nga akciza.

Këto masa pritet të reflektohen edhe me çmime të rritura për këto kategori produktesh.

Akciza zë rreth 11% të të ardhurave tatimore vjetore. Rreth 55% e të ardhurave nga akciza vijnë nga nënproduktet e naftës, 35% nga nënproduktet e duhanit dhe pjesa e mbetur prej 10% nga kategoritë e tjera të mallrave të akcizës.

Të ardhurat nga produktet alkoolike janë 6.8% e totalit të të ardhurave nga akciza. Akciza indeksohet çdo dy vjet me normën zyrtare të inflacionit të shpallur nga INSTAT-i (jo më shumë se 1.5%), me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve për të cilat ka një kalendar rritje të paracaktuar deri në vitin 2026.