Numri i konsumatorëve që vetëprodhojnë energjinë elektrike pësoi rritje me 21.67% gjatë vitit 2024, në raport më një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare gjatë vitit që shkoi, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka miratuar aplikimet e 887 klientëve, duke e çuar numrin e atyre që kanë zgjedhur të investojnë në burime të rinovueshme për të prodhuar energjinë për përdorim personal në 2415. Kapaciteti total i instaluar nga vetëprodhuesit ka arritur në 216.823 mËp.
Ndërkaq, të ndarë sipas llojit të klientit, privatët kryesojnë me 1645 konsumatorë, ndërsa pas tyre vijnë familjarët me 705 konsumatorë. Po ashtu, të dhënat tregojnë se janë 51 institucione shtetërore si bashki, ministri apo institucione arsimore që kanë instaluar panele diellore për gjenerimin e energjisë, si dhe 15 konsumatorë jobuxhetorë, ku përfshihen ujësjellësa, poliklinika apo qendra shëndetësore.
Sipas Entit Rregullator të Energjisë, këto të dhëna reflektojnë një diversifikim të kategorive të konsumatorëve që po investojnë në energjinë e rinovueshme, duke mbështetur angazhimin e vendit për të rritur prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe për të mbështetur krijimin e një mjedisi të pastër energjetik.
Po ashtu, sipas ERE-s, kjo është një tendencë inkurajuese që tregon se shqiptarët janë gjithnjë e më shumë të angazhuar për të kontribuar në arritjen e qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, duke ndihmuar jo vetëm për mbulimin e nevojave personale energjitike, por edhe në stabilitetin e sistemit energjitik të vendit.