Muaji gusht që shënon edhe muajin me fluksin më të madh turistik në vend duket se ka shënuar edhe një numër më të lartë aksidentesh.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë për një rritje me 7.3% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Në muajin Gusht 2023 numërohen 117 aksidente rrugore nga 109 të ndodhura në muajin Gusht 2022. Numri i aksidenteve rrugore është rritur me 7,3% Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 180 persona nga 152 në muajin Gusht 2022”, vlerëson INSTAT.
Aksidentet rrugore, sipas publikimit, në 96,6% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit, ndërsa numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 35-44 vjeç, duke zënë 22,2% të numrit të aksidenteve gjithsej.
“Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 30,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin Gusht 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Hënë me 17,9%, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur ditën e Diel me 10,3%.
Në muajin Gusht 2023, 23,9% e aksidenteve rrugore kanë ndodhur gjatë harkut kohor 19:00-24:00.
Në tetëmujorin e vitit 2023, numërohen 770 aksidente rrugore nga 795 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 3,1%.
Numri i të aksidentuarve është 1.067 persona nga 1.123 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti
më parë. Aksidentet rrugore, në 12,2 % të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit për tetëmujorin është ulur me 5,1%”, vlerëson INSTAT./Monitor.al