Ish-kryeministri Sali Berisha rikthehet sot në Kuvend pas 11 muajsh, duke marrë pjesë në seancën ku do të votohet nen për nen projektbuxheti i vitit 2025.Rikthimi i Sali Berishës u shënjua me depozitimin e 34 amendamenteve të PDsë për buxhetin e vitit të ardhshëm, mes të cilave 2 mbajnë firmën e tij. Në një konferencë për mediat, Berisha theksoi se dritarja zëvendësoi Parlamentin, teksa u shpreh se rikthimi në Kuvend do të jetë vazhdim i betejës së tij dhe PDsë deri në fitore.
Kuvendi nis sot në orën 10:00 seancën plenare, ku në rend të ditës është projektligji “Për buxhetin e vitit 2025”.
Me urdhër të Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, Kuvendi zhvillon sot seancën për miratimin nen për nen dhe në tërësi të buxhetit të vitit 2025.
Miratimi i buxhetit kërkon shumicë të thjeshtë votash, teksa sot do të shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat.
Buxheti i vitit 2025, i diskutuar përgjatë 48 orëve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, u miratua më 19 nëntor në parim me 75 vota pro, 40 vota kundër, ndërsa 22 deputetë të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim.
Buxheti i vitit 2025, është 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, me një total prej rreth 8,2 miliardë euro. Sipas parashikimeve, rritja ekonomike pritet të jetë 3,9%. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Turizmi po ashtu do të ketë një rol të rëndësishëm.
Borxhi Publik pritet të reduktohet në 55,8% të Produktit të Brendshëm Bruto, nga 56,3% dhe një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, duke realizuar një balancë korente pozitive prej 3,6% të PBB-së.
Sipas parashikimeve në buxhet, në fund të vitit 2024 pritet që papunësia të shkojë në nivelin 10,2%, dhe për vitin 2025 parashikimet janë që norma e papunësisë të zbresë në 9,8% të forcës aktive për punë.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025, parashikohen në masën 754,6 miliardë lekë ose 28,8% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së). Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40,6 miliardë lekë më shumë.
Parashikimet e shpenzimeve për vitin 2025 janë parashikuar në masën 822,7 miliardë lekë ose 31,4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 51,4 miliardë lekë, krahasuar me planin e vitit 2024. Investimet publike përgjatë 2025-2027 do të jenë rreth 6,2%, me një përqendrim te ato me rëndësi strategjike, të lidhura me Planin e Rritjes së BE.
Po ashtu, shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1,85 miliardë lekë, të fokusuara tek nxitja e punësimit, ujësjellës kanalizimet, shpenzime për veprimtarinë hekurudhore, etj.
Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, parashikohet në masën 192,3 miliardë lekë ose 7,3% e PBB. Investimet publike pritet të jenë në masën 6,2% e PBB ose 161,8 miliardë lekë, duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit, si dhe 4,5 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE. Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025, parashikohet me rreth 11 miliardë lekë më shumë.