Vendi ynë është përfshirë nga reshje shiu dhe dëbore në ditët e fundit.
Gjatë natës ka rënë intensiteti i reshjeve të dëborës në zonën veriore, por është rritur në zonën juglindore si në Qafë Thanë-Korçë, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë, në Dardhë dhe në Voskopojë.
Aksi Qafë Thanë-Doganë është përfshirë nga erë e fortë. Temperaturat kanë qenë në ulje duke shënuar deri në -11 °C në zonat malore.
Sipas ARRSH, Grupet e punës me mjetet borëpastruese në terren kanë bërë pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.
Ndërsa qarkullimi vijon pa probleme, ARRSH bën apel për drejtuesit e mjeteve që të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur të udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.