Zonat veriore të vendit janë përfshirë nga reshje shiu dhe bore, ndërsa autoritetet në vend raportojnë se nuk ka probleme me qarkullimin rrugor.Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci u bëri sot apel qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë drejtimit të mjeteve.
Beci theksoi se borëpastrueset po punojnë për të mbajtur rrugën Bogë-Theth të hapur.Mjetet po punojnë për mbajtjen e këtij aksi rrugor të kalueshëm. Një apel për drejtuesit e mjeteve të tregojnë kujdes për shkak të uljes së menjëhershme të temperaturave”, tha ai.
Edhe Kukësi është përfshirë nga moti i keq, me reshje shiu dhe bora, si dhe një ulje të ndjeshme të temperaturave. Në lartësitë mbi 600 metra, reshjet e shiut kanë kaluar në borë, duke krijuar kushte të vështira për qarkullimin.
Zonat si Arrën, Shishtavec, Kalisë, Gryk Çajë, Zapot, Topojan, Kishaj, Cahan, Valbonë dhe Dragobi nuk kanë paraqitur probleme të mëdha në lëvizje, edhe pse bora ka arritur deri në 5 cm në disa zona.
Autoritetet lokale paralajmërojnë se drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në segmentet e rrugëve nacionale si Kam-Qaf Luzhë, Ura e Topojanit-Shishtavec, Kolosjan-Bushtricë-Kala e Dodës dhe Kalimash-Qaf Shllak-Qaf Mali. Këto segmente janë të prekura nga borë dhe akull, si dhe ka prezencë të rënies së gurëve, të shkaktuara nga moti i keq.