Ballina Shqiperia ime Rekord, ne 9 muaj u shiten apartamente me vlere 982 mln euro

Rekord, ne 9 muaj u shiten apartamente me vlere 982 mln euro

Shitjet e apartamenteve nuk ndalen pavarësisht rritjes së çmimeve, ndërkohë që 1/3 e tyre po blihet nga shtetas të huaj.

Sipas të dhënave të INSTAT nga janari deri në shtator të këtij viti janë shitur apartamente me vlerë 982 milionë euro, duke u rritur me 123 milionë euro krahasuar me vjet.

Pasuritë e paluajtshme e ndërtimi, mposhtën edhe bumin turistik, pasi ishin motorët kryesorë të ekonomisë gjatë verë.

Bumi turistik, nuk arriti të mposhtë pozitat që po fiton vit pas viti sektori i pasurive të paluajtshme në ekonomi.

Kur pritej që rritja ekonomike gjatë korrikut, gushtit e shtatorit të vinte prej turizmit, ndodhi e kundërta, pasi ndikimin më të madh e pati ekonomia e betonit.

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme në tremujorin e tretë të viti u rrit me 12.2%, ai i ndërtimit me 4.72%, kurse transporti e hotelet u rritën me vetëm 0.77% krahasuar me vjet.

Referuar data bazës së Institutit të Statistikave, mbi të dhënat transaksioneve gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, aktiviteti i pasurive të paluajtshme ka prekur vlerat rekord të 15 viteve (të dhënat e para për transaksionet në pasuri të paluajtshme janë nga 2008 e më pas).

Përgjatë 9 muajve të këtij viti transaksionet në sektorin e pasurive të paluajtshme kanë kapur vlerën rekord prej 982,1 milionë euro. Krahasuar me një vit më parë, vlera e transaksioneve në këtë sektor është rritur me më shumë se 123 milionë euro.

Vlera më e lartë e shitjeve është regjistruar në kulmin e sezonit veror, me 338.8 milionë euro, duke dëshmuar se pasuritë e paluajtshme, janë kthyer në sektorin e preferuar për të investuar dhe më fitimprurës, madje blerja e një apartamenti mund të konsiderohet biznes, pasi vlera e tij sa vjen e po rritet.

Shtrenjtimi i apartamenteve vit pas viti ndikon direkt në vlerën e transaksioneve në këtë sektor.

Por në kushtet kur çmimet kanë prekur vlera marramendëse, ku një metër katror në Tiranë ka kapërcyer mbi 1000 euro, dhe arrin deri në 4000 euro metri në zonat VIP (zonat përreth qendrës së Tiranës), pyetja që ngrihet është se kush po i blen këto banesa?

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 1/3 e apartamenteve të shitura që prej vitit 2020, janë blerë nga shtetas të huaj, shumica shtetas jo rezidente në vendet e BE-së.

Një pjesë e madhe e këtyre pronave përdoren për biznese, jepen me qira, ose përdoren për shtëpi pushimi, pasi më së shumti janë blerë në bregdet.

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme së bashku me sektorin e ndërtimit ishin motorët kryesor që ndikuan në rritjen ekonomike në periudhën korrik-shtator.

TRANSAKSIONET NË PASURI TË PALUAJTSHME

Viti 2018       875,381,389 euro

Viti 2019       922,718,783 euro

Viti 2020       971,556,168 euro

Viti 2021     1,032,948,676 euro

Viti 2022     1,164,772,602 euro

Viti 2023        982,114,549 euro

TRANSAKSIONET 9 MUJORE

Janar-Shtator 2022           858,969,145 euro

Janar Shtator 2023           982,114,549 euro

Rritja                              +123,145,404 euro